Kriza energjetike më shumë do të ndjehet gjatë sezonit të dimrit, kur termometri shkon në minus. Por, si do ja dalim këtë për tu ngrohur? Rrija e çmimeve të energjisë elektrike por edhe të burimeve të tjera energjetike është dyfishuar. Amvisëritë që ngrohen me rrymë, do shpenzojnë për një muaj aq sa vjet kanë shpenzuar për tre muaj, ata që do ngrohen me peletë do shpenzojnë për një muaj aq sa kanë shpenzuar gjithë dimrit.
Në prag të sezonit dimëror qytetarët kanë dilemën se si do të ngrohen sivjet! Dilema është në mënyrë më ekonomike apo më ekologjike. Nga kriza energjetike që ka kapluar vendin ata nuk e kanë prioritet mbrojtjen e ambientit, por xhepin e tyre, thonë se mezi ja dalin të sigurojnë energjensat për këtë sezon.
Çmimi i rrymës sipas bursës HUPX nga 200 para krizës tani është rreth 400 euro për MW/h. Drutë për ngrohje para dy vitesh ishin rreth 45 euro tani kanë arritur deri në 90 euro për m3. Peleti për një ton ishte 230 euro, sivjet mezi gjen për 450 euro për ton. Nafta ekstra e lehtë dhe mazuti që përdoren për ngrohje në dy vitet e fundit janë shtrenjtuar për 100%. Qytetarët thonë se do ngrohen vetëm me jorganë e batanije.
ÇMIMET E BURIMEVE ENERGJETIKE 2020 – 2022
Energjia elektrike: 200€ – 400€
Drutë për ngrohje: 45€ – 90€
Peleti për ngrohje: 230€ – 450€
Nafta për ngrohje: 43den- 86,5den
Mazuti për ngrohje: 32den-50,4den
“Besa për një familje me një pagë jo që është e vështirë por e pamundur! Vetëm rrymë vitet tjera kam paguar afër 1,000€ për gjithë dimrin sepse mbaj evidencë, drunjtë diku 500€. Këtë vit çdo gjë është dyfishuar! Dashtë Zoti të bëhet me të dyja, si më ekologjike ashtu edhe më ekonomike, por jam skeptik!”, tha një qytetar.
“Të shihni tani, në shpi i kam disa dërrasa dhe ca drunjë të mbetur nga vjet, me to do ngrohemi nuk kam zgjidhje tjetër. Varfëri e madhe! Drunjtë harxhon si për 1 si për 100 nëse ke, nëse nuk ke do flesh në të ftoftë, do mbulohemi me batanije, jorganë dhe kapele zgjidhje tjetër nuk do të kemi”, deklaroi një qytetar.
“Do të kursejmë më shumë për të blerë dru sepse rryma është shumë shtrenjtë. Do të gjejmë mjete, për dru nuk do djegim shumë, s’do e ngrohim shtëpinë aq shumë si përpara”, shtoi një qytetar tjetër.
Masat e efikasitet energjetik për zbutjen e krizës bien ndesh ndërmjet Ministrisë së Ekologjisë dhe të Ekonomisë, thonë ekspertët. Sipas tyre, strategjia ekologjike e Ministrit Nuredini për kontroll të rreptë të ndotësve industrial dhe amvisërive do të bie ndesh me strategjinë ekonomike të Ministrit Bekteshi. Andaj qytetarët, do të duhet të zgjedhin ose të ngrohen sa më lirë ose të mos e ndotin ambientin, kur e dimë se gjatë sezonit të ngrohjes në dimër indeksi i ndotjes vendin e rëndit ndër të parat në botë./Alsat.mk