Kufizimi i marzhës nuk e ndal shtrenjtimin e artikujve bazë ushqimorë

Çmimet e artikujve ushqimor kanë arritur majat. Këtë javë vërehet rritje edhe e çmimeve të preparateve higjienike dhe detergjenteve. Qytetarët nëpër markete vijnë e shikojnë rreth e rrotull, por blejnë vetëm gjërat më së të nevojshme. Kjo familje posa doli nga marketi tregoi se me paratë që kishin, blenë vetëm gjysmën e produkteve, në krahasim me më parë. Mbushja e karrocës së vogël u kushtoi thuajse dyfish.

“Kjo ka kushtuar 3,330 denarë, vetëm këto që po i shihni. Sa është dallimi, sa keni paguar më tepër? Pak shtrenjtë është, më shtrenjtë se përpara, bile kjo shportë ka mund të jetë 1,800 denarë kurse tani dyfish”.

“Çmimet, prisni, nuk kemi parë ende asgjë! Çmimet përgjithësi janë të larta siç i pash para dy jave, por sigurt do të jenë edhe më të larta. Kryesisht të ardhurat po na shkojnë vetëm për gjërat ushqimore.”

“Kjo nuk është në rregull aspak por s’kemi çfarë të bëjmë edhe njerëzit janë pa punë. Po gjërat ushqimore që janë më kryesore po rriten çmimet çdo ditë se për tjerat mos të flasim. Ato që kemi patjetër ti marrim për ekzistencë po të liroheshin në çmime do të na zbusnin situatën.”

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se brenda një viti disa çmime janë dyfishuar. Në krahasimi të çmimeve për muajin gusht 2021 dhe për muajin gusht 2022, përqindje lëviz nga 22-46%.

Enti shtetëror i Statistikave
Krahasimi i çmimeve në përqindje për gusht 2021 dhe gusht 2022:
Vaji i lulediellit për gatim +46.7% brenda një viti
Buka, prodhimet e miellit dhe të drithërave +44.1%
Qumështi, prodhimet e qumështit dhe vezët +26.9%
Mishi dhe prodhimet e mishit 23.3% brenda një viti
Sheqeri, Mjalti dhe prodhimet e ëmbëlsirave +22.6%

Nga OEMVP thonë se vazhdimi i marzhës për produktet bazë edhe për 3 muaj nuk pritet të ketë ndikim të theksuar në frenimin e çmimeve të artikujve ushqimorë. Durim Zeqiri nga Oda tha se në komunikim me kompanitë, ata janë të detyruar të rrisin produktet finale shkaku energjisë elektrike dhe derivateve të naftës. Gjithsesi, ai nuk amniston tregun e lirë që të cenoj direkt buxhetin familjarë.

“Vlerësojmë se ngrirja e marzhës ishte e kapshme për aspektin makro-ekonomik të vendit në periudhën fillestare të krizës, për shkak se edhe ekspertët ekonomik e sugjerojnë që ngrirja marzhës të bëhet për një periudhë të shkurtër dhe mos të zgjatë sepse ka edhe efektet negative. Një ndër efektet negative që qytetarët por edhe bizneset i kanë vërejtur është zvogëlimi i sasisë të atyre produkteve që u ngrinë sepse bizneset nuk kishin më leverdi që ti importojnë dhe për fat të keq ne jemi ekonomi që importojmë më tepër sesa që eksportojmë dhe jemi të varur nga tregjet e huaja, atëherë erdhi skenari që nuk kishim plotësim të kërkesës që kishte tregu në vend”, deklaroi Durim Zeqiri, OEMVP.

Qeveria vazhdoi edhe për tre muaj kufizimin e marzhës tregtar për produktet ushqimore bazë në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Kjo vlen për bukën e bardhë, sheqerin si dhe për vajin e lulediellit të rafinuar që është deri në 5% në shitje me shumicë dhe deri në 5% në pakicë. Marzha tregtar deri në 10% është vendosur për miellin e grurit, makaronat, orizin e bardhë maqedonas, qumështin e përhershëm të lopës dhe vezët e pulës. Kjo marzhë për produktet bazë do të vazhdoj deri në fund të dhjetorit.