NATO-ja e gatshme të dërgojë më shumë trupa në Kosovë në rast të tensioneve të reja

NATO-ja është e gatshme të rrisë numrin e trupave në Kosovë, nëse ka rritje të tensioneve në mesin e minoritetit serb, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS – Republika e Kosovës.

“Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar… nëse kemi rritje të tensioneve, mirëpo edhe mund të rrisim numrin e forcave rezervë… mund ta marrim këtë vendim brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë zëvendëskomandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Luca Piperni.

Ai i ka bërë këto deklarata para gazetarëve në selinë e KFOR-it në Prishtinë.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar më 31 korrik, një ditë para se Qeveria e Kosovës të niste zbatimin e vendimit për dokumentet për hyrje/dalje dhe regjistrimin e targave të makinave në RKS.

Serbët lokalë kanë vendosur barrikada në rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Për shkak të tensioneve, dhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës e pati shtyrë zbatimin e vendimit për një muaj dhe barrikadat më pas janë hequr.

Ndërkohë palët janë dakorduar për çështjen e dokumenteve për hyrje/dalje, ndërsa vendimi për regjistrim të makinave, ka hyrë në fuqi më 1 shtator dhe do të zgjasë deri më 31 tetor.

Autoritetet në Kosovë nuk kanë ofruar hollësi se si do të veprojnë pas skadimit të këtij afati.

Në Kosovë vlerësohet se janë rreth 10.000 makina me targa të qyteteve të Kosovës – kryesisht KM (Mitrovicë e Kosovës) të cilat i lëshon Serbia.

Kosova i konsideron këto targa ilegale, meqë Prishtina dhe Beogradi kanë marrëveshje për liri të lëvizjes prej vitit 2011.

Piperni ka thënë se situata aktualisht është e qetë, mirëpo e brishtë, andaj NATO-ja nuk përjashton mundësinë e tensioneve të reja, apo dhunës, kur të skadojë afati i regjistrimit të makinave më 31 tetor.

“Nëse situata përkeqësohet, ne jemi gati të intervenojmë, ne jemi të gatshëm që të jemi në mes të protestuesve dhe organizatave të sigurisë”, ka thënë ai.

“Ne kemi forca të mjaftueshme për t’u përballur me situatën. Me një numër të tillë trupash, ne mund t’i japim fund secilit lloj të tensionit”, ka thënë Piperni, duke iu referuar trupave jashtë Kosovës, që mund t’i angazhojë NATO-ja si përforcime.

Autoritetet në Serbi kanë thënë se vendimet e tilla të Qeverisë së Kosovës synojnë dëbimin e serbëve nga veriu i Kosovës.

Megjithatë, ato nuk kanë paraqitur prova për pretendime të tilla.

Dialogu për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka nisur më 2011.

Palët kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Kosova insiston që dialogu të finalizohet me njohje të ndërsjellë, derisa Serbia përmend zgjidhje kompromisi.