Ministri Bekteshi dhe Reisi Fetahu me mesazh dhe thirrje deri te qytetarët për të kursyer energjinë elektrike

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot zhvilloi takim me kreun e Bashkësisë Fetare Islame, Reisin Shaqir Fetahu.
Ministri Bekteshi pas takimit theksoi se në këtë moment nevojitet ndihmë nga të gjitha bashkësitë fetare në mënyrë që të inkurajohen qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike në mënyrë që të sigurohen teprica që do t’u jepen kompanive.
“Me kreun e BFI-së, Shaqir Fetahu, biseduam për krizën energjetike me të cilën po përballet vendi, për të marrë mbështetjen e BFI-së për kursimin e energjisë, e cila është shumë e rëndësishme për të treguar përgjegjësi sociale nga të gjitha institucionet, por edhe nga të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Synimi ynë është që të ndërgjegjësojmë të gjithë besimtarët dhe të gjithë qytetarët që në këtë periudhë të vështirë që po vjen, të gjithë së bashku të kursejmë energjinë elektrike për ta tejkaluar më shpejt këtë krizë”, tha Bekteshi.
Ministri Bekteshi gjithashtu theksoi se të gjitha institucionet në shtet duhet të veprojnë sipas rekomandimeve, për të kursyer në fushën e energjisë elektrike.
Pas takimit, kreu i BFI-së deklaroi se BFI deri më tani ka kursyer energji elektrike, pasi siç tha ai, energjia e konsumuar financohet nga donacionet e besimtarëve, por do t’u bëjë thirrje edhe qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike.
“Deri më tani energjinë elektrike e kemi shfrytëzuar në mënyrë racionale dhe mendoj se do të ndihmojmë që të dalim nga kriza dhe të shpenzojmë pak para nga buxhetet e familjeve tona për energjinë elektrike, duke apeluar edhe qytetarët që të bëjnë të njëjtën gjë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet të kontribuojmë në tejkalimin e krizës. Do të marrim masa për të racionalizuar energjinë. Kemi më shumë se 700 xhami dhe mbi 200 të punësuar dhe në takimet me besimtarët do të flasim për racionalizimin e konsumit të energjisë elektrike. Edhe ne si BFI e kemi obligim fetar të jemi të kujdesshëm sepse shpenzimi është mëkat në besimin tonë”, deklaroi kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu dhe shtoi se në këtë aktivitet do të jenë të përfshirë të gjithë punonjësit e BDI-së.