Dyshime për para ruse në Maqedoni

Ekziston mundësi e lartë që strukturat në vend të jenë marrës të parave ruse, me synimin për të minuar kapacitetin demokratik dhe ndikimin antiperëndimor, shkruan Alsat.

Këtë tezë, sipas analistit Petar Arsovski, e vërtetojnë edhe analizat e MPJ-së. Arsovski vlerësoi se Maqedonia është vend i ndjeshëm ndaj këtij lloj ndikimi, veçanërisht nga aspekti kulturor.

Si shembull, ai i theksoi përpjekjet e një pjese të publikut për të refuzuar Marrëveshjen e Prespës që mundësoi anëtarësimin në NATO, si dhe lajmet e rreme të prodhuara nga Velesi gjatë zgjedhjeve në SHBA, të cilat ishin në favor të Donald Trampit.

“Bëhet fjalë për organizata – organizata partiake, joqeveritare dhe organizata të tjera joformale, më tej individë, gazetarë, media, opinionistë dhe njerëz që kanë ndikim në mediat sociale, influencues etj. Lista e njerëzve që mund të kenë këtë ndikim është relativisht e gjerë. Në ditët e sotme, me teknologjinë moderne, nuk është problem i madh të arrish një audiencë prej 30-40 mijë njerëz”, tha Petar Arsovski – analist.

Sipas Arsovskit, qeveria nuk ka përgjigje të koordinuar për ndikimin, por për këtë arsye po vjen ndihma nga aleatët dhe Aleanca e NATO-s.

Ai thotë se duhet të hapet debat nëse dhe në çfarë mase i lejohet Qeverisë të bëjë fushata informuese në media.

“Për sa i përket asaj se cilat institucione duhet të reagojnë, sigurisht që janë institucionet e sigurisë – Ministria e Brendshme, inteligjenca dhe kundërzbulimi, por në të njëjtën kohë SHGM, SEM, Ministria e Sistemit Informatik, dhe mbi të gjitha Qeveria duhet të investojë institucionalisht në edukimin e marrësve, sepse nuk mund t’i mbyllni gazetarët një nga një – atëherë të tjerët do të jenë gjithmonë një hap para jush. Ju duhet të bëni përgjigje të fortë në mënyrë që njerëzit të dinë se kujt mund t’i besojnë dhe kujt nuk mund t’i besojnë”, u shpreh Petar Arsovski – analist.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se 300 milionë dollarë u janë paguar disa vendeve të Evropës Lindore për ta forcuar ndikimin rus, mes tyre Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja -Hercegovina.

MPJ e Maqedonisë tha se ka njohuri për ndikimin rus në jetën politike në vend përmes burimeve të caktuara të financimit./ Alsat.mk