Administrata, gjyqësori, prokurimet publik dhe kontrolli financiar janë disa nga fushat që do të jenë të parat në tavolinën e bisedimeve midis ekspertëve vendas dhe të BE-së. Të enjten nis skriningu shpjegues, përmes analizës së harmonizimit të legjislacionit vendor dhe atij të BE-së, në grupin e parë – vlerat themelore. Ekipet nga të dyja palët pritet ta përfundojnë punën me shpejtësi, sepse ky lloj skriningu shpjegues është bërë edhe në vitin 2019, kur vendi ishte në prag të fillimit të negociatave, dhe tani mbetet të rishikohen ndryshimet në legjislacionet të cilat në ndërkohë kanë hyrë në fuqi. Të mërkurën nga Brukseli arrijnë anëtarët e COELA – Grupit të Punës për Zgjerim dhe Negociatat e Anëtarësimit.
“Kjo është vizita e parë e punës e COELA-s në vend, e cila është rezultat i hapjes së negociatave për anëtarësim në BE në korrik 2022… Vizita përfshin takime me përfaqësues të ministrive dhe institucioneve të tjera të përfshira të ashtuquajturin “Klasteri 1” i negociatave të anëtarësimit në BE”, njoftojnë nga Misioni i BE-së në Shkup.
Pas ndryshimit të metodologjisë, me kërkesë të Francës, fokus i rëndësishëm do të vendoset në luftën kundër korrupsionit.
Përfaqësuesit e Komisionit Kundër Korrupsionit do të udhëtojnë shpesh në linjën Shkup-Bruksel, ndërsa sipas informacioneve për këtë klaster të parë do të dëgjohet edhe mendimi i tyre, ndër të tjera, edhe për Ligjin e Informatorëve.
Për të negociuar në mënyrë efektive, ndihma e ekspertëve për autoritetet vendase ishte njoftuar më parë zyrtarisht nga Kroacia, Bullgaria dhe Republika Çeke. Njoftimi i fundit i tillë erdhi nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, në takimin me kryeministrin Kovaçevski në Athinë.
“Ai vuri në dispozicion kapacitetet me të cilat disponon Greqia në fushën e integrimit evropian, duke qenë se ata janë një nga anëtarët më të vjetër të Bashkimit dhe sigurisht çdo ndihmë e ekspertëve që është në dispozicion, veçanërisht në rajon, do të mirëpritet nga ekipi ynë negociator dhe institucionet tona”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – kryetar i Qeverisë.
Shkupi pret që skriningu të përfundojë në një kohë rekord krahasuar me vendet e mëparshme negociuese dhe Maqedonia e Veriut t’i përfundojë negociatat deri në vitin 2030 dhe të jetë në zgjerimin e parë të ardhshëm të Unionit./Alsat.mk