Kovaçevski pret që negociatat me BE-në të përfundojnë deri në vitin 2030

Qeveria ka marrë vendim për krijimin e strukturës për negociata për anëtarësim të Maqedonisë në BE, informoi sot në konferencë për media kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq do të jetë negociatori kryesor dhe ekipi do të përfshijë gjithashtu ekspertë vendas, nëpunës civilë dhe ekspertë jashtë institucioneve, si ekspertë të huaj, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kovaçevski beson se institucionet kanë kapacitet për negociata me BE-në dhe pret një strukturë cilësore dhe efikase që do të përballet me sfidat. Ai bëri të ditur se i gjithë procesi do të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent. Ai bëri apel për konsensus social për të arritur progres drejt BE-së, si dhe thirrje për opozitën që të marrë pjesë, të mbështesë dhe të ndihmojë procesin.

“Negociatat duhet të vazhdojnë me dinamikë të përshpejtuar dhe të mbyllen sa më parë. Përfundimi i negociatave deri në vitin 2030 është një qëllim i arritshëm”, tha Kovaçevski.

Ai pret që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE gjatë zgjerimit të ardhshëm dhe të bëhet pjesë e Unionit me mbrojtjen e interesave shtetërore.

“Më 19 korrik, kur nisëm negociatat, kthyem një faqe të re në histori, treguam se po marrim vendime burrështetas për përparimin e vendit. Konferenca ndërqeveritare konfirmoi përkushtimin strategjik për euron dhe integrimin euroatlantik. Qeveria është e përkushtuar ndaj reformave evropiane. Nuk ka alternativë për BE-në, ky është qëllimi ynë strategjik”, tha kryeministri Kovaçevski.