65 miliardë euro, Qeveria gjermane me paketë të re ndihmese për qytetarët

Gjermania do të investojë 65 miliardë euro shtesë, në një raund të ri masash që synojnë lehtësimin e goditjes së inflacionit dhe çmimeve të larta të energjisë për konsumatorët, njoftoi koalicioni qeverisës i vendit.

Ndër masat e shpallura të dielën janë pagesa shtesë për të ndihmuar konsumatorët të mbulojnë kostot e energjisë, mbulesë për një sasi bazë të konsumit të energjisë për familjet dhe një pasardhës i “biletës 9 euro” popullore të vendit për transport publik.

Përveç pagesave të paralajmëruara më parë të prej 300 euro për punëtorët, qeveria planifikon të ofrojë pagesa 300 euro për pensionistët, ndërsa për studentët 200 euro.
Masat shtesë të planifikuara si pjesë e paketës përfshijnë subvencione më të larta për familjet me fëmijë, një reformë të subvencioneve për strehimin dhe pagesa më të mëdha për individët me të ardhura të ulëta që marrin ndihmë nga qeveria.

“Gjermania qëndron së bashku në një kohë të vështirë. Si vend, ne do ta kalojmë këtë kohë të vështirë”, tha kancelari Olaf Scholz në një konferencë shtypi me krerët e të Gjelbërve dhe FDP pro-biznesit, dy partnerët e koalicionit të socialdemokratëve të tij të qendrës së majtë.
Scholz fajësoi presidentin rus Vladimir Putin për çmimet e larta të energjisë në Gjermani, duke thënë se Rusia ka thyer kontratën e saj dhe nuk është më një furnizues i besueshëm i energjisë, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.

Javët e fundit, Qeveria kishte paralajmëruar veprime të tjera për të ndihmuar konsumatorët, duke përfshirë pagesat e njëhershme prej 300 euro për punëtorët dhe uljen e taksës së vlerës së shtuar të gazit nga 19% në 7%, deri në fund të marsit 2024.