
Raketa e parë hënore e lansuar nga NASA në pesë dekadat e fundit pritet që të ngrihet nga Qendra e Hapësirës Kennedy në bregun e Floridës me 29 gusht.
NASA është duke përgatitur lansimin e raketës pa pilot Space Launch System dhe të kapsulës Orion si pjese e misionit Artemis 1 të agjencisë, e cila planifikon të rivendosë astronautët amerikanë në sipërfaqen e hënës.
Daily Mail raporton se ky mision është një test për teknologjitë të cilat eventualisht mund të çojnë deri në uljen në Mars.
Në qendër të Artemis 1 është Space Launch System, shkurtimisht SLS, projekti më i madh i raketave nga NASA që prej Saturn V, transmeton Telegrafi.

Lansimi i SLS planifikohet që të bëhet me 29 gusht nga platforma e lëshimit 39B.
Nëse moti e shkakton vonesën, dy datat tjera të mundshme për ngritje janë 2 dhe 5 shtator.
Nëse çdo gjë shkon sipas planit, NASA pret që ta lansojë Artemis 2 në vitin 2023, një fluturim pa pilot afër sipërfaqes së hënës, kjo para se të bëhet ulja e astronautëve amerikanë në sipërfaqen hënore gjatë vitit 2025, si pjesë e projektit Artemis 3.
Projekti Artemis do të mundësojë uljen e astronautëve në hënë për çdo vit deri në fund të dekadës, kjo duke filluar nga viti 2025. Në atë fazë, çmimi i projektit Artemis do të jetë rritur në 93 miliardë eurove.

Astronautët që ulen në Hënë do të ndërtojnë një stacion hapësinor dhe një bazë hapësinore në Polin Jugor hënor.
Teknologjitë e përdorura në këtë mision do të shërbejnë për të ndihmuar NASA-n drejt qëllimit përfundimtar, një ekspeditë me njerëz në Mars. Ato misione janë planifikuar të fillojnë në fillimet e viteve 2040.
Nëse misioni Artemis 1 rezulton i suksesshëm, do të rri pezull rreth 90 kilometra mbi sipërfaqen e Hënës, në vitin 2024 Artemis 2 do të kryej një fluturim pranë sipërfaqes hënore me 4 astronautë në bord. Dhe deri në vitin 2025, astronautët pritet që të shkelin në Hënë.

Inspektori i Përgjithshëm i NASA më herët gjatë këtij viti kishte deklaruar se viti 2026 është një objektiv më real për uljen e astronautëve në Hënë.
Artemis 3, i cili do të jetë emri i misionit për uljet në Hënë, sipas gjitha gjasave do të ketë një kapsulë të prodhuar nga firma e Elon Musk, SpaceX. Në vitin 2021, Musk kishte fituar një kontratë prej 2.91 miliardë eurove nga NASA për zhvillim e këtij projekti.
Astronautët të cilët do të shkojnë më Hënë, do të jenë njerëzit e parë që do të ecin në sipërfaqe për herë të parë nga viti 1972.