Në këtë moment nuk ka problem më të madh për ekonominë e Maqedonisë së Veriut se çmimi i energjisë elektrike. Qeveria duhet të gjejë zgjidhje të balancuara të cilat do t’i lejojnë sektorit të biznesit që të mbijetojë. Nëse kjo nuk ndodh, shumë kompani do të mbyllen dhe shumë vende pune do të humbasin. Nëse njerëzit mbeten pa rrogë, nuk do të mund t’i paguajnë faturat, sado që të subvencionohen nga Qeveria, porositi sot Oda ekonomike.
Sipas Odës, nevojitet reagim urgjent sepse koha po kalon, ndërsa rreziqet po rriten.
Oda pret që propozimet e saj këtë javë të shqyrtohen në Qeveri, por edhe të pranohen.
“Para meje kam të dhëna konkrete për faturën e energjisë elektrike të një kompanie që është anëtare e Dhomës. Edhe pse në korrik të këtij viti kompania ka shfrytëzuar më pak energji elektrike se korriku i vitit të kaluar, fatura e saj e energjisë elektrike këtë vit është pothuajse gjashtë herë më e lartë se në korrik të vitit të kaluar. Vitin e kaluar për korrikun ajo ka paguar rreth një milion denarë, ndërsa këtë vit për korrik gjithsej gjashtë milionë denarë. Cili biznes do ta durojë këtë dhe deri kur?”, tha nënkryetari i Odës, Zoran Jovanovski.
Duke iu referuar të dhënave nga Regjistri qendror, ai theksoi se në vitin 2021 janë fshirë 6995 persona juridikë nga regjistri i personave juridikë tregtarë dhe të tjerë, ndërsa në vitin 2022 sipas të dhënave të publikuara aktualisht janë fshirë 5.324 persona juridikë.
“Çmimi i energjisë elektrike në të gjitha vendet e tjera të rajonit është më i ulët se i joni, prandaj kompanitë tona janë jokonkurruese ndaj çmimeve”, theksoi nënkryetari i Odës.
Në pyetje të gazetarëve për masat e kursimit të energjisë elektrike të ndërmarra nga Qeveria, të cilat ndikojnë edhe në ekonomi, ai u përgjigj se “askush nuk duhet t’u thotë kompanive se duhet të kursejnë”.
Në konferencë për shtyp në Odë, ai edhe një herë tha se janë instaluar ose janë duke u instaluar 40-45 megavat fotovoltaikë dhe janë ende në pritje të kyçjes në rrjet.
“Ekziston mundësi që të rritet prodhimi vendor dhe sektorit të biznesit që të investojë në të, por duhet të hiqen pengesat administrative”, nënvizoi Jovanovski.