Heshtje zgjedhore në të gjithë territorin e vendit për shkak të zgjedhjeve në tre komuna, Tetovë, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër-Zhupë. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftojnë se sot votojnë 93 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm si dhe 94 të burgosur. Dita e zgjedhjeve është nesër, shkruan Alsat.
Në Tetovë do të zgjidhet kuvendi komunal. Kjo komunë shkon në zgjedhje të parakohshme për këshillin e ri pasi përbërja paraprake e këshillit nuk arriti të votojë në afatin ligjor llogarinë përfundimtare të komunës. Për 31 vende këshilltarësh besimin e kërkojnë 403 kandidatë nga 13 lista kandidatësh. Komisioni Komunal Zgjedhor thotë se është përgatitur për ditën e votimit.
“Gjithsej, në kuadër të Komunës së Tetovës, të drejtë vote kanë 84 406 të cilët do të votojnë në 117 vendvotime. Komisioni Komunal i zgjedhjeve sot e shpërndau materialin zgjedhor të besueshëm dhe jo të besueshëm në të gjitha vendvotimet dhe shpresojmë që nesër në ora 7 të mëngjesit të gjitha vendvotimet të fillojnë me procesin, ashtu siç e parasheh edhe Kodi zgjedhor”, tha Nazmi Dauti, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor, Tetovë.
Në Komunën Qendër-Zhupë dhe në Mavrovë-Rostushë do të votohet për kryetarët e rinj. Përpjekjet paraprake për zgjedhjen e krerëve të këtyre dy komunave kanë dështuar për shkak se nuk përmbushej kushti për daljen në votime të të paktën 1/3 së votuesve. Në Mavrovë-Roshtushë në garë janë dy kandidatë kurse të drejtë vote kanë 9 948 qytetarë. Në Qendër-Zhupë fletëvotimi ka vetëm një kandidat kurse nesër të drejtë vote kanë 7154 qytetarë.