“Unë kam vrarë familjen tënde”, janë këto fjalët e fundit të autorit të tragjedisë në Malin e Zi, i cili një ditë më parë u mori jetën 11 personave. Autori i masakrës, që kishte për zanafillë konfliktin për qiranë e banesës, është 34-vjeçari Vuk Boriloviç.
Fillimisht ai hyri në banesën e qiramarrësve të tij rreth orës 15:30 një ditë më parë dhe vrau një fëmijë 11 vjeç. Pas tij vrau edhe vëllain tre vjet më të vogël dhe plagosi nënën e tyre. Pas krimit ka telefonuar kryefamiljarin, Millosh Martinoviç dhe i ka thënë: “Unë e kam vrarë familjen tënde”, raportojnë mediat malazeze.
“Duke përdorur armën e zjarrit – pushkë gjuetie – ka marrë jetën e dy fëmijëve, njëri tetë dhe tjetri 11 vjeç dhe ka plagosur nënën e tyre, e cila vdiq në spital nga plagët e marra. Më pas ai ka dalë dhe ka qëlluar banorët të kësaj lagjeje me të njëjtën armë zjarri, me ç’rast u ka marrë jetën shtatë personave të tjerë, ndërsa gjashtë të tjerë i ka plagosur”, tha Zoran Bërgjanin, drejtor i policisë malazeze.
“Rastësisht ishte në vendin e ngjarjes, pash çfarë pash. AS nuk mund të flasë për këtë. Do të kem trauma pas kësaj. Askush nuk mund t’i kthejë këta njerëz në jetë. Ata fëmijë. Është e pabesueshme, mendoj se ende nuk mund ta kuptojmë se çfarë ndodhi. Mund vetëm ta imagjinoj vuajtjen e familjeve, të gjithë qytetit”, deklaroi Mladen Zadrima, dëshmitar okular.
Qeveria e Malit të Zi shpalli tri ditë zie në gjithë territorin e vendit, pas tragjedisë në Cetinjë. Nga të shtënat që ndodhën të premten në lagjen Medovina të Cetinjës ku mbetën të vrarë 11 persona, mes tyre edhe sulmuesi. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç së bashku me ministrin e Shëndetësisë dhe atë të Punëve të Brendshme kanë vizituar dy të lënduarit në Spitalin e Përgjithshëm të Cetinjes. Abazoviç tha se incidenti në Cetinje ishte një tragjedi dhe se Mali i Zi ka humbur shumë.
“Të gjithë jemi të shokuar, kërkojmë nga qytetarët e Malit të Zi që të jenë me familjet e të vdekurve, për viktimat e lënduara, disa prej të cilëve fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën”, tha Dritan Abazoviç, kryeministër i Malit të Zi.
Në përputhje me vendimin e Qeverisë, ditë zie janë e shtuna, e diela dhe e hëna. Tragjedia në Cetinj është ngjarja më vdekjeprurëse në dekadat e fundit në Mal të Zi teksa ndodhi në kulmin e sezonit turistik.