Anija e parë e ngarkuar me mbi 6 mijë tonë grurë nga Ukraina, ka mbërritur në Portin e Durrësit në mëngjesin e 10 gushtit. Anija turke “Jaohar Ranim” ka udhëtuar për 12 ditë nga një port ukrainas drejt Shqipërisë.
Gruri i ardhur është i destinuar për një kompani në Tiranë.
Ukraina dhe Rusia kanë arritur marrëveshje për eksportet e grurit, nën ndërmjetësimin e Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara më 22 korrik.
Sipas kësaj marrëveshjeje, anijeve të Ukrainës që eksportojnë grurë, misër dhe vaj, u sigurohet një korridor i sigurt, me Rusinë që është pajtuar të mos i shënjestrojë ato.
Para fillimit të luftës dhe sanksioneve që u vendosën ndaj Rusisë, sipas të dhënave të Instituti të Statistikave (INSTAT), Shqipëria ka importuar mbi 40 për qind të totalit të drithërave nga Rusia, ndërsa 4 për qind nga Ukraina.