Autoritetet përmes ndalesës së eksportit deri në fund të vitit dhe numrit të rritur të mbikëqyrjeve inspektuese në vendet e shitjes po përpiqen ta parandalojnë rritjen e paarsyeshme të çmimeve të peletave dhe drurit për ngrohje në vigjilje të sezonit të ri të ngrohjes.
Pas reagimeve të qytetarëve se nuk kanë se me çfarë të nxehen në sezonin e ardhshëm, Qeveria para ca kohësh e solli vendimin deri në fund të vitit të kufizohet eksporti i drurit të ngrohjes dhe peletave dhe paralajmëroi kontrolle të rritura inspektuese në vendet e shitjes për peletë në të cilat do të verifikohet nëse kompanitë me qëllim i fshehin për t’i shitur më shtrenjtë gjatë dimrit. Në seancën e 63-të të Qeverisë, të mbajtur më 20 korrik të këtij viti, Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA) i është imponuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese për tregtarët me peletë, me qëllim që të përcaktohet çmimi i shitjes, kapacitetet dhe sasitë në dispozicion në treg.
ISHA për vetëm një javë i zbuloi shtatë parregullsi tek tregtarët e peletave
Drejtoresha e ISHA, Aneta Simeska Dimoska për MIA-n informoi se në periudhën prej 22 deri më 28 korrik të këtij viti i kanë kryer gjithsej 131 mbikëqyrje inspektuese të jashtëzakonshme të tregtarëve me peleta në mbarë territorin e shtetit me ç’rast është përcaktuar se çmimi i shitjes i peletave sillet prej 15 deri në 26 denarë për një kilogram, me marzh prej 8 deri në 65 për qind dhe prej 220 deri në 390 denarë për një thes prej 15 kilogramësh, gjegjësisht marzh prej 10 deri në 40 për qind varësisht llojit të peletave. Rezervat e përgjithshme të peletave që i kanë përcaktuar inspektorët është 5.696.600 kilogramë, ndërsa kapaciteti i prodhimtarisë është përcaktuar tek tetë subjekte.
“Në këtë periudhë kohore gjatë mbikëqyrjeve inspektuese janë përcaktuar gjithsej shtatë parregullsi, për çka janë shqiptuar sanksione përkatëse në pajtim me madhësinë e subjektit”, tha Simeska Dimoska.
Siç tha, tek një person juridik nga Shkupi, është konstatuar se evidencat në tregti nuk gjenden në lokalin afarist ku bëhet tregti, për çka për personin juridik është shqiptuar gjobë prej 200 eurosh për personin juridik dhe 40 euro për personin përgjegjës në personin juridik. Për personin juridik nga Ohri janë shqiptuar dy urdhërpagesa për kundërvajtje – gjobë në shumë prej 240 eurosh në denarë, sepse evidencat për furnizim dhe shitblerje të mallit në tregtinë me pakicë nuk gjenden në zonën e shitjes me pakicë. Një person juridik nga Struga është dënuar me gjobë prej 120 eurosh në denarë për shkak se nuk ka kërkesë për respektim të Kushteve teknike minimale (KTM) për objektin. Për të njëjtën arsye është dënuar edhe një person juridik nga Shtipi. Gjobë prej 200 euro për personin juridik dhe 40 euro për personin përgjegjës i është shqiptuar një personi juridik nga Gostivari për shkak se evidenca tregtare nuk gjendet në objektin afarist ku bëhet tregtia. Një personi juridik nga Manastiri i është shqiptuar gjobë prej 800 euro për personin juridik dhe 60 euro për personin përgjegjës, ndërsa për një depo në Strugë është konstatuar se nuk mban evidencë për blerjet dhe shitjet në tregti dhe nuk ka aplikimi për KTM.
“ISHA në vazhdimësi kryen mbikëqyrej për të gjitha produktet për të cilat në pajtim me metodologjinë e rrezikut përcaktohet se duhet të jenë lëndë e mbikëqyrjes. Për drunjtë për ngrohje kemi vepruar së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me Inspektoratin Shtetëror të Punës me ç’rast kemi konstatuar edhe parregullsi, por është punuar në vazhdimësi edhe për paraqitjen e qytetarëve gjatë marsit, prillit dhe majit. Për peletat në vazhdimësi është punuar dhe kanë qenë lëndë e mbikëqyrjes në planin për marsin lidhur me cilësinë dhe deklaratat”, saktësoi Simeska Dimoska.
Shitësit e peletave druajnë se nuk do të ketë sasi të mjaftueshme të importit dhe presin çmimet të rriten
Kompanitë që shesin peletë theksojnë se më së shumti peletë importojnë nga Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi, e së fundmi edhe nga Turqia. Ata thonë se frikësohen se nuk do të ketë sasi të mjaftueshme për import për shkak të paralajmërimeve për ndalim të eksportit nga vendet prej nga importojnë. Ata nuk janë të sigurt dhe thonë se nuk mund të thonë nëse do të rritet çmimi i peletit në fillim të sezonit të ngrohjes sepse, theksojnë, gjërat ndryshojnë nga dita në ditë. Megjithatë, ata theksojnë se presin rritje të çmimeve. Tani thonë se një qese me peletë e klasës A me peshë prej 15 kilogramë shitet me çmim prej 350 denarë, ndërsa vitin e kaluar i njëjti ka kushtuar nga 190 deri në 200 denarë. Ata theksojnë se çmimi i një qese me peletë varet nga vendi nga i cili importohet.
Në vend janë tetë kompani për prodhimin e peletave të cilat i kënaqin rreth 20 për qind të nevojave në tregun vendor. Madje 80 për qind e nevojave kënaqen nga importi.
Nga Drejtoria doganore për MIA-m informojnë se në periudhë nga 1 janari deri më 4 gusht të këtij viti në vend janë importuar gjithsej 40.710.099,69 kilogramë peletë në shumë të përgjithshme prej 587.914.340,00 denarë. Importi i peletëve është kryesisht nga vendet e rajonit, në mesin e së cilave më së shumti importohet nga Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi. Importin e bëjnë 135 kompani të ndryshme vendore – importues.
Subvencionet për stufa me peletë e rritën konsumin
Në vitet e kaluara, në Qytetin e Shkupit dhe në disa komuna, qytetarëve iu ofruan subvencione për blerjen e stufave me pelet që më pak e ndotin mjedisin se sa drutë për ngrohje, me çka dukshëm është rritur konsumi. Tashmë konsumatorët po përballen me problemin e marrjes së sasive të nevojshme të peletave për ngrohje në dimër për shkak të, siç thonë ata, fshehjes së qëllimshme të rezervave nëpër magazina për t’i shitur me çmime më të larta para fillimit të dimrit.
Ministria e Ekonomisë thekson se vendimi për kufizimin e përkohshëm të eksportit të druve të zjarrit dhe të drurit të papërpunuar propozohet me qëllim që të parandalohen dhe shmangen pasojat e shkaktuara nga kërkesa e shtuar e popullatës për dru për ngrohje të shkaktuar nga kriza energjetike në tregun botëror.
Ata theksojnë se vitin e kaluar nga vendi janë eksportuar 550.085 kilogramë peletë në vlerë prej 103.704 euro. Në gjysmën e parë të vitit janë eksportuar 237.330 kilogramë peletë me vlerë të përgjithshme prej 49.787 euro. Gjithashtu janë eksportuar 22.700 kilogramë dru për ngrohje ose 28.4 metër kub në vlerë 2012 eurosh. Ka leje për eksport për gjithsej 96 mijë kilogramë, pra për 120 metër kub, por pritshmëritë janë që të mos realizohet për shkak të ndalimit të eksportit nga Qeveria.
Qeveria publikisht do t’i publikojë firmat të cilat me qëllim fshehin peletë dhe dru për ngrohje dhe krijojnë krizë artificiale
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi para ca kohësh paralajmëroi se Qeveria do t’i publikojë kompanitë të cilat përpiqen të krijojnë mungesë artificiale të peletave dhe drurit për ngrohje.
“Dhe tani do ta bëjmë të njëjtën gjë me ata që po përpiqen të krijojnë një mungesë artificiale të peletëve dhe druve për ngrohje për të rritur çmimet e tyre. Pas zërave të përhapur, ne do ta angazhojmë Inspektoratin që të dalë në terren për të konfirmuar se këto indikacione janë të vërteta. Na kanë treguar se tregtarët jo që nuk kanë sasi peleti dhe dru për ngrohje, por e bëjnë artificialisht, siç u përpoq ta bënte disa kohë më parë dikush me produktet ushqimore për të rritur çmimet e tyre. Nëse do të kishim një ligj për përfitimin ushtarak, do të kishim reaguar lehtë”, tha Bytyqi në përgjigjen e pyetjes në një konferencë shtypi në Qeveri.
Potencoi se në përgatitje e sipër është një ligj për marrëdhënie korrekte në ekonomi, në të cilin, siç tha, kjo do të rregullohet.
Rritet kërkesa për drurin për ngrohje
Me rritjen e çmimit të peletëve dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike, kërkesa për dru për ngrohje është rritur në mënyrë drastike. Nga NP “Pyjet nacionale” thonë se furnizimi i qytetarëve me dru për ngrohje po bëhet me ritme normale dhe shtojnë se të gjithë ata që kanë lidhur kontratë deri në fillim të sezonit të ngrohjes do të furnizohen me dru për ngrohje me çmimet e vitit të kaluar. Mirëpo, çmimet janë vazhdimisht në rritje dhe në depot private për momentin një metër kub dru ahu aktualisht shitet për 4.700 denarë, ndërsa dru lisi 4.800 denarë.
Nga NP “Pyjet nacionale” potencojnë se për 13 vite të plota drutë për ngrohje i shesin me çmime të njëjta – për një metër kub ahu për 2.800, ndërsa lisi 2.900 denarë dhe saktësojnë se për këtë vit kanë kërkuar nga Qeveria që të lejojë rritje të çmimit prej 20 për qind. NP “Pyjet nacionale” planifikon sivjet t’i prodhojë 516.032 metra kub dru për ngrohje. Vitin e kaluar, ndërmarrja publike i prodhoi rreth 430.000 metra kub.
Pjesa më e madhe e qytetarëve nxehen me dru për ngrohje
Të dhënat në publikimin “Konsumimi i energjensave në amvisëritë, 2019” i publikuar vitin e kaluar nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se 49 për qind e amvisërive në vend ngrohen me dru zjarri apo dru nga pemishtet. Rreth 31 për qind e amvisërive përdorin energji elektrike për ngrohje, 10 për qind janë të lidhura me ngrohje qendrore dhe 8,5 për qind e amvisërive përdorin briketa dhe peletë druri.