Më shumë para për komunat, rriten të ardhurat nga pushteti Qendror

Nga Ministria e Financave thonë se reforma e fundit përbëhet nga tre shtylla: përmirësimi i kapacitetit fiskal të komunave dhe rritja e të hyrave të komunave, rritja e disiplinës fiskale të komunave dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies së komunave
Kryetarët e komunave në Maqedoninë e Veriut me vite ankohen edhe përmes Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, për ndarjen e pakënaqshme dhe të pamjaftueshme të mjeteve, sipas tyre nga pushteti qendror në drejtim të pushtetit lokal, përkatësisht ato me vite nuk janë të kënaqur me transferet nga buxheti qendror në arkat e komunave. Njëherësh, komunat në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi janë ankuar se jostabiliteti financiar i tyre në shtet ndërlidhet në një pjesë të madhe me decentralizimin fiskal të ngadalshëm në vend. Nga BNJVL thonë se nuk kërkohen para, por kërkohet që kompetencat e decentralizuara të mbulohen në mënyrë përkatëse me mjete financiare, me çka qytetarët do të fitojnë shërbime më të mira dhe më të shpejta.

RRITEN TË HYRAT NË KOMUNA

Nga Ministria e Financave thonë se reforma e fundit e miratuar, përbëhet nga tre shtylla: përmirësimi i kapacitetit fiskal të komunave dhe rritja e të hyrave të komunave, rritja e disiplinës fiskale të komunave dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies së komunave. “Me ndryshimet dhe plotësimet e miratuara, komunat do të marrin pjesëmarrje më të madhe të të hyrave të arkëtuara përmes tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi vlerën e shtuar. Apo, të hyrat e komunave nga tatimi mbi të ardhurat personale, që deri më tani ishin 3 për qind, deri në fund të vitit 2022 do të rriten në 4 për qind, në vitin 2023 në 5 për qind dhe në vitin 2024 në 6 për qind. Të hyrat nga tatimi mbi vlerën e shtuar nga niveli aktual prej 4.5 për qind, gjatë vitit do të arrijnë nivelin prej 5 për qind, më tej në 5.5 për qind në vitin 2023 dhe do të arrijnë 6 për qind në vitin 2024“, thotë ministri i financave, Famtmir Besimi.

Sipas tij, planifikohet edhe formimi i dy fondeve – Fondi i performancës dhe Fondi i barazimit. Komunat që tregojnë rezultate pozitive dhe kanë realizim më të lartë të të hyrave vetanake, do të marrin mjete nga Fondi i performancës, ndërsa nga Fondi i barazimit do të sigurohen mjete për komunat që kanë të hyra më të ulëta, por që kanë treguar përpjekje fiskale dhe rezultate të mira në grumbullimin e të hyrave vetanake. Vlerësimet janë se mjetet që i marrin komunat me anë të këtyre dy mënyrave, do të dyfishohen, apo nga niveli aktual prej 2.8 miliardë denarëve do të rriten në mbi 5 miliardë denarë deri në vitin 2024. Reforma fillon menjëherë, përkatësisth rritja e përfshirjes së tatimeve të arkëtuara do të fillojë gjatë këtij viti, me ç’rast komunat do të marrin më shumë mjete në periudhën e përballjes me sfidat e shktuara nga kriza energjetike dhe ajo e çmimeve.

KOMUNA MË SHUMË DISIPLINË FINANCIARE

Shtylla e dytë e reformës i referohet rritjes së disiplinës financiare të komunave. Lidhur me këtë, parashihen aktivitete për planifikim real të të hyrave dhe shpenzimeve të komunave, servisim të rregullt të detyrimeve, disiplinë më të madhe financiare, si dhe shpallje të jostabilitetit financiar të komunave pas hyrjes në fuqi të ligjit. Zbatimi i “Fondit të performancës” duhet të kalojë përmes një procesi të kujdesshëm të tranzicionit me përkrahjen e institucioneve qendrore për përforcimin e institucioneve lokale fiskale në komuna që ngecin ndjeshëm në këtë aspekt, por jo gjithmonë me fajin e tyre, thonë nga Ministria e Financave. Komunat do të ndihmohen dhe mbështeten edhe për planifikimin real të të hyrave dhe shpenzimeve të komunave, racionalizimin e punës dhe uljen e shpenzimeve të panevojshme, servisimin e rregullt të borxhit.

KOMUNAT KËRKOJNË MË SHUMË PARA SEÇ OFROHET

Kohë më parë, përfaqësuesit e komunave kanë kërkuar vendosjen e një sistem objektiv dhe transparent i financimit të komunave me qëllim të sigurimit të drejtë të mjeteve financiare, që vlen sidomos për komunat më të vogla dhe më të varfra e që në vazhdimësi kanë kapacitete të vogla tatimore, ndërsa kanë nevoja të mëdha financiare. Njëherazi kërkohet edhe rritja graduale e të ardhurave për komunat nga TVSH nga 4.5 për qind në 10 për qind si dhe rritje e tatimit personal nga 3 në 50 për qind. Analizat tregojnë se pjesa më e madhe e të ardhurave të komunave, apo më shumë se 60 për qind – vijnë nga transferet e pushtetit lokal, që sipas kryetarëve të komunave paraqet bazë për të rrezikuar pavarësinë, andaj një gjë e tillë nevojitet të ndryshohet më shpejt.

Vitet e kaluara, përskaj shlyerjes së gjysmës së borxheve të komunave apo ndihmës prej 50 milionë euro të vetëqeverisjeve lokale për servisimin e obligimeve, po punohet në revidimin e bllok-dotacioneve dhe modelet e reja të financimit të kompetencave në arsim, kulturë etj. Në ndërkohë analizat e ndryshme tregojnë se në Maqedoninë e Veriut, ekziston një disparitet apo jobarazi lidhur me kapacitetet e komunave në disa aspekte si kapaciteti fiskal, burimet njerëzore dhe dituritë, cilësia e ofrimit të shërbimit, etj. Sfidat janë veçanërisht të theksuara në vetëqeverisjet lokale rurale dhe më pak të zhvilluara, ku kapacitetet janë të kufizuara dhe numri i punonjësve në administratë është i pamjaftueshëm. Ky është pjesërisht rezultat i kompetencave të transferuara që kërkojnë burime dhe janë simetrike për të gjitha komunat , pavarësisht nga parakushtet dhe potencialin e tyre për të garantuar cilësinë dhe vëllimin e shërbimeve ndaj qytetarëve sipas kompetencave të transferuara.

DECENTRALIZIM I NGADALSHËM

Analiza e Qendrës për Analiza Ekonomke udhëzon që të shqyrtohen disa opsione për decentralizim asimetrik, duke marrë parasysh se në Maqedoninë e Veriut ka munguar procesi i bartjes së kompetencave nga lartë poshtë në reformën e decentralizimit pas vitit 2005, dhe më shumë në këtë drejtim bëhet fjalë për dekocentrim, apo për një pavarësi jo shumë të madhe të pushtetit lokal karshi atij qendror. Njëherësh edhe financimi nuk ishte financimi i vërtetë i funksioneve, por më shumë financimi i institucioneve dhe pagesa e pagave dhe mëditjeve konstaton analiza. Kreatorët e politikave duhet të kenë parasysh edhe më shumë shkaqe të tjera që janë vërejtur kur miratojnë vendim për reformën e procesit të mëtejshëm të decentralizimit.

Një nga shkaqet apo arsyet, është edhe ajo se preferencat e votuesve në Maqedoninë e Veriut, nuk transmetohen aq lehtë në buxhete se sa në vendet e industrializuara. Kjo thjesht për shkak të transparencës dhe llogaridhënies së ulët fiskale. Arsyeja e dytë u bë e qartë gjatë zgjedhjeve lokale në vend në vitin 2017. Pra, gjatë fushatave, kryetarët e komunave më shumë flasin për probleme në nivel kombëtar sesa për probleme lokale (pra nuk zbulohen preferencat lokale). Njëherësh ajo çka është më e rëndësishme, politikanët e nivelit qendror janë më aktivë në zgjedhjet lokale sesa politikanët lokalë. Zgjedhjet vendore nuk konsiderohen gjë tjetër, veçse një provë dhe sinjale për zgjedhjet parlamentare. Ky është një pasqyrim ndoshta i mos pasjes së një historie mjaft të gjatë të përvojës demokratike.

PAK AUTONOMI FISKALE

Arsyeja e tretë mund të jetë se decentralizimi në Maqedoninë e Veriut, është më shumë dekoncentrim dhe më pak autonomi fiskale dhe ri orientim i fuqisë vendimmarrëse te komunat. Me këtë strukturë, varësia nga fondet e qeverisë qendrore për transfertat apo të mirat publike, mbahet dhe nuk ekzistojnë mekanizma me të cilat votuesit lokal mund të zbulojnë preferencat e tyre. Arsyeja e katërt mund të jetë transferimi jo përkatës i burimeve financiare për disa shërbime (p.sh. arsimi, mbrojtja nga zjarri dhe rrugët) që i detyron i komunat të ofrojnë shërbime joefikase. Kjo krijon pamundësinë e mbajtjes së aktiveve ekzistuese me mjete tashmë të amortizuara. Gjithashtu, bartja jo optimale e kompetencave tek vetëqeverisja lokale (mandatet e pafinancuara për komunat në Maqedoninë e Veriut ) mund të krijojë një stres të paqëndrueshëm fiskal në vetëqeverisjen lokale për shkak të hendekut të madh fiskal. Arsyeja e pestë është se mund të ketë vështirësi në menaxhimin e decentralizimit duke pasur parasysh mungesën e përvojës përkatës, aftësive dhe njohurive të duhura.

AKTIVITET E TJERA PËR TË NDIHMUAR KOMUNAT

Nga Qendra për Analiza Ekonomike, sugjerojnë që përksaj shfrytëzimit më të madh të instrumenteve ekzistuese, së bashku me vendosjen e kufizimeve buxhetore që nënkuptojnë edhe stabilitet më të madh financiar, nevojitet të ndërmerren edhe më shumë aktivitete të tjera si bashkëpunimi ndërkomunal. Rekomandohet të merret në konsideratë vendosja e e granteve të përshtatshme, ose fonde të tjera nga qeveria qendrore për të motivuar këtë instrument për shërbimet e targetuara si punë administrative për zyrat e përbashkëta tatimore dhe shërbime të tjera administrative si revizioni apo auditimi i brendshëm, shërbimet juridike si dhe për ofrimin e drejtpërdrejtë të shërbimeve publike në arsim, kopshte, menaxhim të mbetjeve të ngurta, etj. I’a vlen të mendohet edhe për delegimin e kompetencave. Kjo nënkupton se ndryshe nga transferimi i kompetencave, ky proces është vullnetar.

Kjo do të thotë se ministria përkatëse ia kalon kompetencat komunës. Të dyja palët duhet të bien dakord për delegimin e kompetencave, për kompensimin e duhur dhe për një marrëveshje e përshtatshme që do të nënshkruhet nga të dyja palët. Sugjerohet edhe rritja e kapaciteteve fiskale si dhe përmirësimi i kapaciteteve të administratës tatimore vendore dhe i sjelljes dhe moralit tatimor të taksapaguesve. Kjo mund të sigurojë një shkallë më të lartë të mbledhjes së të hyrave vetanake pa ndryshuar legjislacionin dhe pa vendosur norma më të larta tatimore. Gjithashtu, sugjerohet mbështetja për Teknologjinë Informatike nga qeveria qendrore për komunat për administrimin e taksave dhe ngritjen e lidhjes me Kadastrën. Njëherësh rekomandohet edhe Partneriteti Publik Privat, p.sh për kontratat e autsorsing apo shfrytëzimin e kompanive të jashtme për shërbime të caktuara, lising dhe llojeve të tjera të shërbimeve me sektorin privat ku si shembuj janë pagesa dhe faturimi, mirëmbajtja e aseteve, etj