HIQMET DEMIRI, PROFESORI MIK I STUDENTËVE
Ing. Bledi Stefa
Prof. Hiqmeti perpos gjithe cilesive njerzore qe kishte, afrimiteti me studentet ishte i jashtezakonshem. Cilido prej nesh mund te komunikonte lirshem me Prof. Hiqmetin per çfare do lloj teme, qe lidhej me profesionin por edhe tema jetesore. Personalisht ruaj kujtime te pakrahasueshme me të, i qete, i shtruar ne komunikim, profesionist i denje dhe mjaft i dashur. Ne memorien time dhe gjithesecilit prej atyre qe e njohen, Prof. Hiqmeti do te mbahet mend shume gjate. Mirenjohje dhe respekt per jeten dhe vepren e Tij. Hiqmet Demiri lindi në 15 shtator të vitit 1938 në Tiranë. Gjatë viteve 1956 deri 1960, përfundon Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Mbas përfundimit të shkollës së lartë, prej viteve 1960 deri 1982 punon si inxhinier në Sektorin e Gjeodezisë, pranë Drejtorisë së Gjeodezisë në Ministrinë e Ndërtimit (Instituti Shtetëror i Projektimit, i cili pas vitit 1974 u shëndrrua në Ndërmarrjen e Gjeologji-Gjeodezisë). Në vitet 1982 deri 1984 Hiqmet Demiri ushtron detyrën e KryeInxhinierit në Drejtorinë e Ndërmarrjes së Ndërtimit të Hidrocentralit të Komanit. Në vitet 1984 ushtron detyrën e Kryetarit të Zyrës së Kontrollit Teknik në Sektorin e Gjeodezisë, pranë Ndërmarrjes Gjeologji-Gjeodezi. Prej vitit 1994 deri në vitin 1996 punon si Inxhinier Gjeodet në sektorin e Gjeodezisë, në Institutin Hidrogjeoteknik (para shkurtit 1994, ishte Ndërrmarja Gjeologji-Gjeodezi, ish Drejtoria e Studimeve Gjeologjike e Gjeodezike). Dy vite të tjera ushtroi detyrën e drejtuesit teknik në sektorin e gjeodezisë, që u formua si shoqëri anonime. Prej vitit 1998– 2002 por edhe në vazhdim Hiqmet Demiri punon si Inxhinier i liçensuar, indipendent, duke bashkëpunuar me shumë firma projektimi dhe ndërtimi në vend.
Veprimtaria mësimore
Në shtator të vitit 1968 deri në vitin 2002, por edhe në vazhdim, ushtron detyrën e pedagogut të jashtëm prane Fakultetit te Inxhinierise se Ndertimit. Gjatë kësaj periudhe numërohen një cikël mjaft i gjërë leksionesh, mbi lende te caktuara qe perfshiheshin ne planet mesimore te ketij fakulteti.
Anëtarësimet në forumet shkencore të vendit dhe ato ndërkombëtare
Hiqmet Demiri, gjatë karrierës së tij nuk ka lënë pa u bërë pjesë edhe e organizatave apo forumeve të ndryshme me karakter profesional. Vihet re që prej vitit 1985 e në vazhdim, është Anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Inxhinierisë (viti 1985).Anëtar i Shoqatës së Gjeodetëve të Shqipërisë, njëherazi i zgjedhur edhe si Anëtar Nderi i SHGJSH. Anëtar i Shoqatës Shkencore për Mbrojtjen e Ujrave të Ëmbël dhe të Kripur (1994).
Lista e botimeve dhe studimeve shkencore
Hiqmet Demiri ka një numër mjaft të konsiderueshëm botimesh dhe studimesh shkencore. Ai është autor i disa regulloreve dhe manualeve profesionale. Gjithashtu ka botuar disa artikuj shkencor mbi:
• Metodën e drejtëkëndshave pa diagonale në krijimin e rrjetave gjeodezike të ndërtimit në veprat industrial (Buletini i Shkencave Teknike Nr. 3, Tiranë 1982).
• Punimet Gjeodezike në projektimin dhe ndërtimin e veprave industrial (Buletini special Tekniko-Shkencor i Ndërrmarjes Gjeologji-Gjeodezi Nr, 1, Tiranë 1974).
• Studimi i bazamentit gjeodezik kryesor për rilevimin e qyteteve në shkallën 1: 500 (Buletini special Tekniko-Shkencor i Ndërrmarjes Gjeologji-Gjeodezi Nr, 2, Tiranë 1981).
• Reduktimi këndor me anë të një pike ndihmëse, i dy pikave të padukshme me njëra tjetrën (Ndërtuesi Nr. 2 Maj 1978).
• Përdorimi i metodës parallaktike në përcaktimin e largësive (Ndërtuesi Nr. 3, Shtator 1979). Saktësia e punimeve gjeodezike në ndërtimin me element parafabrikat (Ndërtuesi, 1988).
Studime dhe raporte shkencore fondore të zbatuara
Studim mbi projektimin dhe zbatimin e punimeve topo-gjeodezike në Kombinatin e Metalurgjikut Elbasan (bashkëautor, Fondi i N. GJ.GJ, vitet 1968-1973). Raporti i studimeve gjeodezike për projektimin dhe zbatimin e Azotecit, Fier (bashëautor, Fondi i N. GJ.GJ, vitet 1968-1975). Gjithashtu rezultojnë një sërë studimesh dhe raportesh në vepra të ndryshme inxhinierike, të ndërtuara në qytete si Fieri, Elbasani, Ballshi, Tepelena, Bilishti, Klosi, Kavajë, Tiranë etj. Hiqmet Demiri ka mbajtur disa kumtesa dhe referate kryesisht të referuara në Katedrën e Gjeodezisë gjatë viteve 1976, 1987, 1979, si dhe në Ndërmarrjen e Gjeologji-Gjeodezisë gjatë viteve 1980, 1987, 1989.
Grada dhe tituj shkencor
Në vitet 1978– 1982, mbron tezën për gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” me temë: “Studimi mbi metodat e prospektimit dhe të zbatimit të punimeve gjeodezike në veprat industriale”. Fusha e kërkimit; Gjeodezia Inxhinierike, Fakulteti i Inxhinierisë, Universiteti i Tiranës.Në datën 20. 01. 1982, i miratohet grada shkencore “Kandidat i Shkencave” me numër vendimi 57, datë. 22. 06. 1982 dhe numër regjistri themeltar 791, datë. 25. 06. 1982, konvertuar me gradën shkencore “Doktor” me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.351, datë. 30. 06. 1993.
Dr. Hiqmet Demiri, në datën 21. 02. 1995, i miratohet titulli shkencor “Mjeshtër Kërkimesh” me vendimin nr. 20, datë. 21. 02. 1995 nga Komisioni i Kualifikimit Shkencor.
Përgjatë viteve 1980- 2000 por edhe më tej, Dr. Hiqmet Demiri ka qënë reçensues në veprimtari të ndryshme shkencore, akademike por edhe studimore. Ai ka qënë udhëheqës në shumë diploma dhe disertacione, nga Katedra e Gjeodezisë në ç’do sezon, prej vitit 1972 deri në vitin 2000. Me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Shoqatës së Gjeodetëve të Shqipërisë, në 22 Janar të vitit 2011, me propozim të Kryetarit të Shoqatës së Gjeodetëve të Shqipërisë, Dr. Demirit i akordohet titulli “Anëtar Nderi”, për kontribute të veçanta dhënë në fushën e Gjeodezisë.