Qytetarët vazhdojnë të përballen me temperatura përvëluese deri në 40 gradë celsius. Ndërsa ekipi ynë qëndroi në një nga tregjet e gjelbra të Shkupit, qytetarët shpejtonin të blinin dhe sa më shpejt t’i shpëtonin të nxehtit. Ata thanë se bëjnë kujdes çfarë blejnë në pazar duke kujtuar se prodhimet e qumështit dhe mishit i anashkalojnë.
“Zakonisht blej perime, domate, karota dhe speca. Po pres taksinë, përfundova punë për gjysmë ore dhe kthehem në shtëpi”.
“Zakonisht nuk dal në këto temperature, por sot e kisha patjetër, prandaj dola. Dal në mëngjes, nga ora 8 e 30 deri në 9 e 30 e bëj pazarin dhe kthehem në shtëpi. Në pazar blej perime dhe fruta, jo diçka tjetër. Prodhime mishi jo, frikohemi dhe duhet të kemi kujdes”.
“Në këtë kohë dihet, domate, speca dhe majdanoz. Prodhime qumështi, më shumë përdor jogurt dhe kos. Temperaturat janë normale, nuk frikësohem vetëm se duhet të kemi kujdes”.
Shitësit thanë në këto temperature të larta thuajse të gjitha produktet vyshken dhe prishen lehtë.
“Nëse nuk shiten sot, për nesër nuk mbetet asgjë, u ndryshon ngjyra. Për shembull, majdanozi akoma është I freskët, do të mundohem ti shes, mbajmë më pak që të shiten. Në mëngjes ka njerëz, deri në ora 12, pas orës një nuk ka njeri”.
“Nëse sot nuk shiten, nesër I hedhim të gjitha, bëhen me njolla të zeza, të gjitha I hedhim në kontejner. Më shpejt prishet pjepri, pjeshkat, ato që janë më të buta, edhe bananet. Ato që janë më të forta qëndrojnë më shumë”.
Deri të dielën vendi ynë do të jetë në fazën portokalli për shkak të temperaturave të larta deri në 42 gradë. Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar të lirohen nga puna grupet më të rrezikuara, si gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë. Nga ora 11 deri në orën 17 rekomandohet ndalesë e punimeve ndërtimore në ambiente të hapura. Ministria e Shëndetësisë rikujton qytetarët se gjatë ditëve jashtëzakonisht të nxehta të qëndrojnë në ambiente të mbyllura, veçanërisht në ato me kondicioner, të veshin rroba të lehta dhe të mbajnë syze dhe kapelë mbrojtëse gjatë ekspozimit direkt në diell. Të konsumohen sa më shumë fruta dhe perime dhe më pak ushqim me yndyrë. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë rekomandon të konsumohet sa më shumë ujë dhe të shmangen pijet alkoolike./Alsat.mk