Britania sërish mbështetje ushtarake për Ukrainën, i dërgon 1600 armë antitank

Britania do të furnizojë Ukrainën me një numër të madh armësh zjarri dhe me 1600 armë antitank. Ky është një tjetër furnizim me armë nga Perëndimi me qëllim forcimin e mbrojtjes së vendit kundër Rusisë, sipas deklaratës së ministrit të Mbrojtjes Ben Wallace.

Furnizimi vjen pasi kryeministri Boris Johnson muajin e kaluar premtoi një mbështetje të mëtejshme ushtarake prej 1 miliard paundsh, duke e çuar mbështetjen totale të Britanisë për Ukrainën që nga fillimi i luftës në 2.3 miliardë paund.

“Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ne do të sigurojmë që ukrainasit të kenë mjetet e nevojshme për të mbrojtur vendin e tyre kundër pushtimit të paligjshëm të Putinit”, tha Wallace në një deklaratë.

Ai shtoi se Britania do të sigurojë sisteme radari, qindra dronë dhe municione.