Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e marta e 19 korrikut është ditë historike.
Bashkimi Evropian më në fund zyrtarisht ka hapur negociatat për anëtarësim.
Menjëherë pas kësaj, flamujt e të dyja shteteve, janë vendosur në rendin me flamurin e BE-së.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, falënderoi përpjekjet e bëra nga presidenca paraprake e BE-së, e udhëhequr nga Franca, për zhbllokimin e bisedimeve.
“Propozimi francez shtroi rrugën për zhbllokimin e një situate absurde”, deklaroi ai.
Tutje falënderoi popullin shqiptar që nuk u dorëzua në aspiratat e tij drejt BE-së.
“Edhe pas tre vjetësh të ndërlikuara, populli shqiptar “kurrë s’u dorëzua dhe kurrë nuk rreshti së ëndërruari rrugën evropiane”, u shpreh Rama.
Ndërkaq, presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen, e cilësoi një moment historik konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ajo u shpreh se ky është sukses i dy qeverive dhe qytetarëve që kanë punuar shumë, kanë pasur besim dhe vullnet.
Ndryshe, Shqipëri që nga viti 2014 gëzon statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Por, megjithatë kriteret e vendosura nga BE-ja morën kohë deri sot – kur pikërisht u bë nisja e hapjes së negociatave.
Hapja e negociatave për Shkupin dhe Tiranën vjen pasi më 16 korrik, Kuvendi maqedonas miratoi një propozim francez që mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.