Ing. Bledi Stefa – PROFESOR NEXHAT TURKESHI “USTAI” I HEKURUDHAVE, HIDROCENTRALEVE E VEPRAVE TË MËDHA KOMBËTARE

PROFESOR NEXHAT TURKESHI “USTAI” I HEKURUDHAVE, HIDROCENTRALEVE E VEPRAVE TË MËDHA KOMBËTARE

Ing. Bledi Stefa

Nexhat Turkeshi ka lindur në Tiranë më 1 Janar 1936. Arsimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje. Në vitin 1952 fillon punën si “Ndihmës Gjeometër” pranë ndërmarrjes “Projekti”. Në vitet 1952-1953 ka punuar për zbatimin e punimeve gjeodezike në hidrocentralin e Ulzës nga ku, rilevimin dhe bazamentin gjeodezik e kishte kryer ekspedita sovjetike. Në këtë objekt ju dha rasti të punoi me një nivel krejtësisht të ri ‘meopta’. Si fillestar në profesion, kur pah instrumentin krejtësisht të ri u gëzua shumë dhe filloi rivelimin. “Ustai”, mjeshtri Karafil Kikino e pyet: A e kontrollove nivelën? Nexhati u pergjigj se nivela ishte krejtësisht e re. Me urdhër u bë kontrolli nga i cili rezultoi një gabim jashtë flagrance, dhe bashkarisht me ustain rektifikuan instrumentin dhe vazhduan punën. Ky qe një mësim për “Ndihmës Gjeometrin” Nexhat Turkeshi të cilin e ka patur parasysh gjatë gjithë jetës së tij.
Në vitin 1956 mbaron maturën në gjimnazin “Qemal Stafa” si dhe fiton të drejtën e studimeve nga ana e Ministrisë së Ndërtimit. Fillon studimet në Institutin Politeknik të Tiranës në Degën e Gjeodezisë dhe më vonë me formimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, vazhdon studimet pranë Katedrës së Gjeodezisë. Së bashku me Shefin e Katedrës Profesorin e nderuar Muharrem Dragovojën, në vitin 1953 kryejnë relacionin e Qytetit të Tiranës (ish-ndërmarrja projekti). Në vitin 1960 mbaron studimet e larta duke u diplomuar si Inxhinier Topo-Gjeodet dhe u emërua në Ministrinë e Ndërtimit. Gjatë kohës së studimeve një pjesë e studentëve të kursit, nën drejtimin e profesorëve; Muharrem Dragovoja, Seit Dyrzi dhe Salih Çene, kryejnë punimet për triangulacionin e tunelit të hidrocentralit të Bistricës me gjatësi 3.9 km. Këto punime edhe mbas studimeve për zbatimin e tunelit, Nexhat Turkeshi punoi nën drejtimin e profesorit të nderuar Seit Dyrzi. Me përfundimin me sukses të punimeve, Seit Dyrzit ju dha çmimi i “Republikës” ndërsa Z. Turkeshi u dekorua me “Urdhërin e Punës”. Në vitin 1960 kur mbaroi studimet, me prishjen e marrëdhënieve me Ish-Bashkimin Sovjetik, specialistët rus u larguan nga vendi ynë. Ky ishte një shans i mirë për grupin e Inxhinierëve të diplomuar në ato vite, pasi ndërtimi i veprave hidroteknike, industriale, bonifikimi etj, do të kryheshin nga këta inxhinier të rinj dhe me pak përvojë. Më pas filluan punimet inxhinierike në vepra industriale si Fabrika e Çimentos në Fushë- Krujë, Superfosfati në Laç, Uzina e Bakrit në Rubik, Azoteci në Fier etj.
Nexhat Turkeshi ka punuar për rilevimet e radio-stacioneve në Cerrik, Fllag si dhe në drejtimin e antenave përkatëse, për një kohë të gjatë. Ka punuar për triangulacionet e qyteteve Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë, Durrës etj. Në qytetet e reja si Laçi dhe Kukësi ka kryer punimet e rilevimit si dhe në piketimin e objekteve fillestare. Në vitin 1966 ka kryer matjet e para batimetrike për thellimin e kanalit të hyrjes në Portin e Durrësit. Në ato vite, këto punime kryheshin për herë të parë. Në punimet e veprave hidroteknike ka punuar për rilevimet dhe bazamentet gjeodezike në hidrocentralin, Vahu i Dejës, Fierza, Komani si edhe, punimet për projektimin e hidrocentralit të Skavices dhe Poliçanit për të cilët u dekorua me dy urdhëra pune të klasit të parë. Një të klasit të dytë dhe një të klasit të tretë.
Krahas punës, filloi studimet pas-universitare për mbrojtjen e titullit bashkëpunëtor i vjetër shkencor (doktor shkencash) ku mbrojti temen: “Studim mbi zëvedësimin e nivelimit gjeodezik me nivelim trigonometrik”.Në sesione të ndryshme shkencore të zhvilluara në Ministrinë e Ndërtimit ka mbajtur referate të ndryshme ku veçohet referati në konferencën nacionale të hidrocentraleve, të përgatitur në bashkëpunim me As. Prof. Fildan Karapici. Në vitet 1990-1991 për zhvillimin e zonave turistike, ka kryer punimet në Sarandë (Syri i Kaltër) Himarë, Vlorë (Zvërnec) Dhërmi, Lezhë, Llogara, Borsh etj.
Në kuadrin e bashkëpunimit shkencor midis institucioneve, Ministrisë së Mbrojtjes (Institutit Topografik Ushtarak, drejtues projekti Përparim Lika), Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (Katedra e Gjeodezisë me udhëheqës projekti Prof. Muharrem Dragovoja) dhe Ministrisë së Ndërtimit (me udhëheqës Prof. Fildan Karapici), filluan punimet për poligonet gjeodinamik në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Korçë. Sëbashku me koleg të Institutit Topografik Ushtarak, u kryen punimet planimetrike dhe naltimetrike në poligonet gjeodinamik të mësipërm. Me lindjen e problemit të lëvizjes së zonës së poravës në Hidrocentralin e Fierzës, ka kryer punimet për përcaktimin e zhvendosjes horizontale dhe vertikale të kësaj zone. Në vitin 1992 emerohet specialist në Kadastrën Urbane të Bashkisë së Tiranës njëkohësisht Anëtar pranë Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave. Në vitin 1995-1997 ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve ku pati rastin të njihej me probleme të ndryshme të infrastrukturës dhe vlen të theksohet riorganizimi i mirëmbajtjes rrugore dhe sinjalistikës, në bashkëpunim me specialistët danezë.
Në vitin 1997 fillon punë në sektorin privat ku ka punuar si në projektim ashtu edhe në zbatim. Ka projektuar rrugë në disa qytete të Shqipërisë. Gjithashtu ka marr pjesë në zbatimin e punimeve për rikonstuksionin e Doganave Kapshticë dhe Hani i Hotit, Autostradës Tiranë- Durrës, rikonstruksioni i Hekurudhës Shkodër- Hani i Hotit etj.
Në Universitetin Politeknik të Tiranës pranë Fakultetit të Ndërtimit, Nexhat Turkeshi ka dhënë leksione dhe seminare si dhe ka udhëhequr diploma të ndryshme. Gjithashtu ai ka përfunduar Kursin Pasuniversitar për Vlerësimin e Pasurive të Paluajtshme. Së fundmi nuk lë pa përmendur një numër të madh kolegësh e profesorësh që i kanë dhënë një ndihmë të pa kursyer gjatë karrierës së tij profesionale. Nexhat Turkeshi ka qënë pjesë aktive e shumë seminareve dhe konferencave që grupi profesional me emrin Shoqata e Gjeodetëve të Shqipërisë organizon. Në festimet e 20 vjetorit të themelimit të kësaj shoqate, ai zgjidhet “Anëtar Nderi” me motivacionin për kontribute të shquara në fushën e Inxhinierise dhe Gjeodezisë.