Zeqirit i vazhdohet arresti shtëpiak – Prokuroria zbulon se ai dyshohet edhe për një vepër tjetër

Ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Muhamed Zeqiri, ka marrë 30 ditë arrest shtëpiak dhe ndaj tij është hapur një hetim i ri për keqpërdorim.

Gjykata i’a ka vazhduar paraburgimin duke marrë parasysh gjendjen e tij shëndetësore, por Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar në propozimin e saj ka deklaruar se Zeqiri dyshohet se ka kryer dhe një vepër tjetër penale.

Bëhet fjalë për dyshimin se është kryer keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Prokuroria për Krim të Organizuar ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimit në hetim.

Në propozim thuhet se në fazën aktuale të procedurës hetimore janë ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore nga prokuroria dhe gjatë dhënies së provave është gjetur dokumentacioni shkresor që tregon se i dyshuari M. Z. ka kryer një vepër tjetër penale, që ndërlidhet me keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Për këtë arsye është i nevojshme zgjerimi i hetimeve për atë ngjarje penalo-juridike, si dhe thirrja e të dyshuarit për ta pyetur për rrethanat e reja, bazuar në vendimin e Gjykatës së Apelit i cili citon kërkesën e prokurorisë.