Ukraina po heton më shumë se 21 mijë krime të dyshuara lufte

Ukraina thotë se po heton më shumë se 21 mijë krime lufte dhe krime agresioni që dyshohet se janë kryer nga Rusia që nga fillimi i pushtimit të saj.

Prokurorja e Përgjithshme Iryna Venediktova i tha BBC-s se po merrte raporte për 200 deri në 300 krime lufte në ditë, transmeton Telegrafi.

Ajo e pranoi se shumë procese do të mbaheshin në mungesë, por theksoi se ishte “çështje drejtësie” që të vazhdohej me ndjekjet penale.

Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt. Vendi mohon të gjitha akuzat për krime lufte.

Duke folur për programin e Shërbimit Botëror të BBC-së, Venediktova paralajmëroi se ushtarët rusë që vranë, torturuan ose përdhunuan civilët “duhet ta kuptojnë se është vetëm një çështje kohe kur ata të gjithë do të do të jenë në gjykatë”.

Ajo tha se megjithëse ekipi i saj po punonte në rajone anembanë Ukrainës, nuk ishte në gjendje të hetonte të gjitha rastet “si duhet dhe në mënyrë efektive” për shkak të mungesës së aksesit në disa njerëz dhe zona. Kjo ishte një referencë e dukshme për territoret e Ukrainës të pushtuara nga trupat ruse.

Në maj, Venediktova tha se rreth 600 të dyshuar tashmë ishin identifikuar dhe 80 ndjekje penale kishin filluar.

Ushtari i parë rus që u gjykua në Ukrainë, Sgt Vadim Shishimarin, u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e një civili në maj.

Ukraina thotë se ka zbuluar varre të shumta masive në Bucha, Borodyanka dhe qytete të tjera pranë kryeqytetit Kiev, të cilat u kapën për një kohë të shkurtër nga trupat ruse.