MSH: 293 raste të reja me Covid-19

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se brenda 24 orëve, nga 1.254 testime, janë regjistruar 293 raste të reja me COVID-19. Prej tyre 81 janë riinfektime. Në këtë raport njoftohet për 102 pacientë të shëruar kurse nuk shënohet asnjë viktimë.

COVID-bilanci I sotëm vetëm se konfirmon rritjen e shifrave të infektimeve ditore. Nëse para njëzet ditëve regjistroheshin rreth 50 raste në ditë, ditëve të fundit situata ka ndryshuar dhe brenda një dite evidentohen rreth 200 raste të reja. Përqindja e të infektuarve që rezultojnë nga testimet ka mbërritur deri në 18%.

Ndryshe, në raportin e fundit javor të ISHP-së, për periudhën nga 27 Qershori deri më 03 Korrik, infektimet ditore kanë shënuar rritje prej 65.9% në krahasim me javën paraprake. Gjatë kësaj periudhe ka pasur 962 raste të reja, shumica prej tyre në Shkup. Në rritje prej 58.3% janë edhe riinfektimet. Gjatë javës së kaluar ka pasur 190 persona që sërish janë infektuar me COVID-19.

Autoritetet e shëndetësisë njoftojnë se sikurse javën e kaluar, nëpër spitale trajtohen 10 pacientë me COVID-19. Prej tyre, 3 janë me oksigjeno-terapi.

Komisioni për Sëmundje Infektive ditëve në vijim do të mblidhet për ta diskutuar situatën epidemiologjike. Rekomandimet e fundit ishin mbajtja e maskave mbrojtëse nëpër institucionet shëndetësore dhe transportin publik.