Maqedonia është goditur nga “murtaja e bardhë” dhe po shkon drejt bankrotimit

Maqedonia është goditur nga “murtaja e bardhë” dhe po shkon drejt bankrotimit. Kështu thonë ekspertë në vend, duke komentuar shifrat të cilat flasin se vendi ka më shumë qytetarë që marrin para nga shteti sesa ata që e mbushin arkën e shtetit. Profesori universitar Borçe Davitkovski, vlerëson se më shumë se një miliardë euro nga buxhet i shtetit shkon për paga, pensione dhe ndihma sociale. Për këtë arsye, shton ai, nevojiten reforma urgjente, pasi forca punëtore në sektorin real është shumë e vogël në krahasim ne numrin e duhur.

“Tashmë një miliardë nga buxheti na ikë për rroga në sektorin publik, kemi për raste sociale, kemi pensionistë… Më shumë se një e katërta e buxhetit shkon për paga, ndërsa ata janë mjete të pakthyeshme. Gjithkund në botë, katër deri në pesë punëtorë të sektorit privat mbajnë një administrator, tek ne është një ndaj një. Pra një prej fabrike mban një që punon në administratën publike. Kjo nuk mund të ballafaqohet”, deklaroi Borçe Davitkovski, profesor universitar.

Shifrat e fundit të Entit të Statistikave tregojnë se në vendin tonë ka 609 520 të punësuar aktivë. Prej këtyre 477 132 persona punojnë në bizneset private, ndërsa 132 088 punojnë në administratë shtetërore, të cilët paguhen nga buxheti i shtetit dhe tatimet e qytetarëve.

Nga buxheti i shtetit paguhen edhe 338 359 pensionistë, dhe rreth 36 496 familje të cilët marrin ndihma sociale të garantuara.

Nëse u referohemi këtyre të dhënave dhe ndajmë numrin e forcës punëtore në sektorin privat i cili kontribuon në mbushjen e buxhetit për pagat e të punësuarve në sektorin publik, për pensionet dhe për ndihmat sociale, shihet se: Forcë punëtore në sektorin privat janë 477 132 persona, të cilët punojnë për tu paguar nga shteti rreth 485 794 të punësuar. Këto të dhëna tregojnë se në vendin tonë, ka 8 362 persona më shumë, të cilët paguhen nga arka e shtetit, se sa punonjës të cilët punojnë në sektorin privat dhe e mbushin arkën shtetërore.

Kjo situatë, sipas profesorit Davitkovski, kërkon reforma urgjente.

“Andaj thash se buxheti është i rënduar për pagat e këtyre njerëzve, andaj duhet urgjentisht të bëhen reforma… tani në mënyrë strikte të bëhet, që ta lehtësojmë buxhetin… ose do të hymë në hua, do marrim para e do të bëhemi si Greqia, do të hyjmë në borxh, nuk do të mund t’i kthejmë paratë dhe atëherë të gjithëve në sektorin publik do u ulen pagat dhe pensionet, do të ketë trazira sociale dhe do të shndërrohemi na shtet të bankrotuar”, shtoi ai.

Profesori Davitkovski thotë se shqetësues është edhe fakti që të rinjtë e arsimuar e braktisin vendin tonë, ikin dhe nuk kthehen, ndërsa mortaliteti vazhdon të jetë më i lartë se nataliteti, andaj duhet patjetër t’i mbajmë kuadrot e rinj, ta rrisim standardin dhe njerëzit e duhur të jenë në vendin e duhur të punës./Alsat.mk

Vizart: 1

609 520 të punësuar aktiv,

132 088 në 1346 institucione publike,

477.132 të punësuar në bizneset private,

Vizart: 2

338.359 pensionistëve që u paguhet pensione në Rishikimin e Buxhetit 2022

36 496 familje që marrin ndihmën sociale minimale,

Vizart: 3

477.132 persona janë forcë punëtore në sektorin privat,

485.794 paguhen nga institucionet e shtetit,

8 362 më tepër të punësuar në administratë