Ahmeti ndau certifikatat për kryetarët e degëve (Foto)

Komisioni Zgjedhor Partiak në Bashkimit Demokratik për Integrim në prani edhe të liderit, Ali Ahmeti kanë ndarë certifikatat për kryetarët e sapozgjedhur në dhjetë degë të BDI, njofton Gazeta Flaka

“Momente nga ndarja e çertifikatave me Liderin Ali Ahmeti, kryetarin e komisionit zgjedhor partiak Ejup Rustemi, anëtarët e komisionit dhe bashkëpartiakët e sapozgjedhur në përgjegjësit e reja. Bashkë përgjithmonë”, shkruan Valdet Xhaferi, kryetar i degës së BDI në Gostivar.

Pas marrjes së certifikatave, është prononcuar edhe Faton Ahmeti, kryetar i degës së Tetovës.

“Kryetari i Komisionit Zgjedhor Partiak, z. Ejup Rustemi, në prani të Kryetarit z. Ali Ahmeti, anëtarëve të KZP dhe të Komisioneve Zgjedhore Komunale, ndau certifikatat për kryetarët e ri të degëve, të zgjedhur në zgjedhjet e para brendapartiake sipas parimit 1 anëtar – 1 votë. Na priftë e mbara”, shkruan kryetari i sapo zgjedhur i degës së BDI në Tetovë, Faton Ahmeti.

BDI gjatë muajt qershor realizoi zgjedhje brenda partiake për zgjedhjen e kryetarëve të degëve, anëtarëve të degëve, këshillave vendor dhe anëtarëve të këshillave vendor në 10 degë të BDI-së edhe atë në Bogovinë, Bërvenicë, Zhelinë, Vrapçisht, Tearcë, Çashkë, Studeniçan, Dollnen, Gostivar dhe Tetovë.

“Dy dekadat e ardhëshme i nisëm duke i prirë një procesi demokratik dhe ky proces nuk do të ndalet këtu por do të vijojë dhe në degët tjera duke e bërë BDI edhe më të fortë e më demokratike dhe më të përgjegjshme, që të jemi të qytetarëve, për qytetarët dhe me qytetarët, sigurisht që të gjithë bashkë jemi më të fortë dhe të pamposhtur.”, deklaroi Ahmeti për procesin zgjedhor.

Në këto zgjedhje brenda partiake në 10 degë të BDI-së janë regjistruar 10.423 anëtar prej të cilëve kanë votuar 75%. Nga BDI thonë që u zbatua demokracia e drejtëpërsëdrejti jashtë mase duke zbatuar parimin një anëtar një votë por çdo strukturë e BDI që nga kryesia e këshillit vendor, kryetari i këshillit vendor, kryesia e degës deri tek kryetarët e degës.

Në Bogovinë u zgjodh Besnik Emshiu, në Bërvenicë Arkin Jahiji, në Zhelinë Emir Sulejmani, në Vrapçisht Nebi Rexhepi, në Tearcë Nuhi Neziri, në Çashkë Nafi Durmishi, në Studeniçan Ejup Abazi, në Dollnen Xhemil Qamili, në Gostivar Valdet Xhaferi dhe në Tetovë Faton Ahmeti.