Bekteshi: Kaluan ndryshimet ligjore – të gjithë tregtarët në vendet turistike do të mund të punojnë të dielave dhe festave shtetërore, kurse punëtorët do të marrin mëditje 100%

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot miratoi ndryshimet në Ligjin për tregti me të cilin u mundësohet të punojnë të dielave dhe festave shtetërore të gjithë shitësve me pakicë dhe shumicë në vendet turistike, të përcaktuara me Ligjin për Turizëm, ka shkruar në Facebook ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Sipas ministrit, ndryshimet në Ligjin për tregtinë pritet të stimulojnë edhe më tej aktivitetin ekonomik në vend, veçanërisht në destinacionet turistike.

“Duke marrë parasysh të dhënat që i kemi nga Enti Shtetëror për Statistikë për rritjen e numrit të turistëve që nga fillimi i vitit dhe pritshmëritë në përputhje me rezervimet tashmë të bëra për turistët e huaj që do të vizitojnë Maqedoninë e Veriut këtë sezon turistik, veçanërisht Ohrin dhe Strugën, në përputhje me ndryshimet ligjore presim rritje të aktivitetit turistik në mbarë vendin.

Ndryshimet në Ligjin për Tregtinë u miratuan përmes një dialogu të përbashkët në një proces gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara, veçanërisht në sektorin e turizmit. Punëtorët në Qendrat Tregtare që punojnë të dielave dhe festave do të marrin mëditje 100 për qind më të lartë”, ka shkruar ministri.

Sipas ndryshimeve të fundit të Ligjit për tregti, shitoreve, kioskave u jepet mundësia në vendet turistike të përcaktuara me Ligjin për turizëm, të punojnë edhe të dielave dhe festave shtetërore. Gjithashtu, edhe në shitoret e lira doganore në aeroportet ndërkombëtare pas pikave të kontrolleve doganore, sipas ndryshimeve të fundit të Ligjit për tregti, u lejohet që të punojnë edhe të dielave dhe festave shtetërore.
Këto ndryshime ligjore hyjnë në fuqi sapo të botohen në Gazetën Zyrtare.