Nëse autoritetet bullgare pranojnë ndryshimet e qeverisë maqedonase atëherë negociatat e Shqipërisë mund të hapen në margjinat e Samitit të ardhshëm të NATO-s.
Kjo e fundit, do të mbahet në Madrid më 29 dhe më 30 qershor.
Kështu bën të ditur një burim ndërkombëtar diplomatik për Albanian Post, i cili u deklarua në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Ngjarja ndërkombëtare do të shfaqë dislokimin më të madh të policisë në historinë e Spanjës, pasi mbledh 44 liderë botërorë.
Ngjarja mbahet në kuadër të luftës në Ukrainë dhe tensioneve mes Aleancës Atlantike dhe Rusisë.
Duke iu referuar burimit qeveritar të AP-së, i cili theksoi se mund të kemi një nisje të negociatave të hënën e 27 qershorit, ky plan është vështirësuar.
“Ka një mundësi por është zbehur, pasi maqedonasit duan t’i bëjnë një amendim të vogël propozimit francez”, sqaron zyrtari ndërkombëtar në kushte anonimiteti.
Sipas burimit, nëse Bullgaria e pranon miratohet në margjinat e Samitit të Nato-s në Madrid.
“Nëse Bullgaria nuk e pranon, RMV-ja do e refuzojë, pra do jetë Maqedonia e Veriut ajo që nuk do pajtohet me propozimin”, ravijëzoi në përmbyllje zyrtari ndërkombëtar i cili do të jetë pjesëmarrës në samit.
RMV-ja
Autoritetet maqedonase kanë parashtruar nga ana e tyre tre kushte në lidhje me propozimin e presidencës franceze për fillimin e negociatave me BE-në.
E para, çështja e gjuhës maqedonase nuk duhet të problematizohet në kornizën e negociatave.
Së dyti, nuk duhet të përfshihen çështjet historike.
E fundit, i takon përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Kështu bënë të ditur zëvendës kryeministri maqedonas Bojana Mariçiç dhe kryediplomati Bujar Osmani.
Bullgaria
Kuvendi Kombëtar i Bullgarisë miratoi të premten e 24 qershorit me 170 vota “pro”, 37 “kundër” dhe 21 “abstenim” propozimin francez.
Vendimi i jep dritën jeshile kryeministrit në dorëheqje Kiril Petkov për të miratuar kornizën negociuese dhe konkluzionet e propozuara nga Presidenca franceze me Këshillin e BE.
Kjo, që të zgjidhë marrëdhëniet komplekse mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, nëse plotësohen disa kushte.
Kuvendi Kombëtar konfirmoi kushtet në të cilat Bullgaria mund të mbështesë çdo hap në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Përkatësisht: Zbatimi efektiv i Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017 dhe procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit Ndërqeveritar sipas këtij Traktati; garantimi i të drejtave të bullgarëve në RMV, me përfshirjen e tyre në kushte të barabarta me popujt e tjerë në kushtetutën e RMV-së.
Për këtë qëllim, Qeveria e Republikës së Bullgarisë duhet të miratojë draft kuadrin negociues dhe konkluzionet e Këshillit të BE-së të propozuara nga Presidenca Franceze.
Kjo, me disa kushte: Sqarimi i tekstit të projekt-konkluzioneve të Këshillit në mënyrë që të sigurohet përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e RMV-së në dispozitat në të cilat përmenden popujt e tjerë dhe në baza të barabarta me këta popuj.
Kushti i dytë ka të bëjë me përmirësimin e draft kornizës negociuese të propozuar dhe draft konkluzioneve të Këshillit.
Kjo, për të pasqyruar më qartë faktin se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje nga Republika e Bullgarisë të ekzistencës të gjuhës maqedonase.
Së treti, përfshihet garancia se fqinjësia e mirë mbetet një kriter horizontal gjatë gjithë procesit të anëtarësimit.
Në reagim ndaj këtij vendimi, Petkov njoftoi se Kuvendi Kombëtar miratoi një vendim historik që i jep dritën jeshile propozimit francez për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
“Integrimi në Ballkanin Perëndimor është me interes strategjik për BE-në”, u shpreh kryeministri bullgar në dorëheqje.
Vendimin e Kuvendit të Bullgarisë e përshëndetën presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta dhe Edi Rama dhe presidenti francez Emmanuel Macron.