Evropa po “zien”, pasi vala e të nxehtit që shkencëtarët ia atribuojnë ngrohjes globale po thyen rekorde për këtë periudhë të vitit dhe nuk do të kursejë pothuajse askënd në kontinentin e vjetër.
Situata më e keqe paraqitet në Spanjë, ku zjarrfikësit po luftojnë me zjarret duke u përpjekur të pengojnë flakët të arrijnë shtëpitë e banorëve. Londinezët nuk zgjedhin mjetet për t’u freskuar e poashtu edhe parisienët, pasi një pjesë e fontanave dhe ujëvarave janë kthyer në destinacion freskimi për ta. Kah mesi i javës meteorologët e vendit parashohin që “tedenca e vapës së madhe” do të jetë prezente edhe në Maqedoni. Një mot sa më të këndshëm dhe me erë të lehtë, qytetarët do të mund të shijojnë sot dhe mundësisht nesër.
Vala e të nxehtit që goditi Evropën tashmë ka filluar dhe së shpejti do të mbërrijë edhe në Maqedoni. Nga nesër, sipas parashikimit të sinoptikanëve, temperaturat do të jenë 34 gradë dhe gradualisht do të rriten, ndërsa pas dy ditësh vala e temperaturave mund të arrijë deri në 40 gradë. Indeksi UV do të jetë më i larti i matur në vend. Sipas meteorologëve temperaturat do të jenë në rritje, më të lartat priten në mesjavë që të arrijnë deri në 40 gradë.
Një vlerë shumë të lartë do të ketë edhe indeksi (UV – 9) në ditët në vijim, ndaj në ato orë të mesditës nuk rekomandohet dalja pa pasur shumë nevojë. Mjekët rekomandojnë që qytetarët të kryejnë obligimet e tyre herët në mëngjes, dhe nga ora 10 deri në 18:00 rekomandohet që të strehohen në hije, veçanërisht ata qytetarë që kanë sëmundje kronike.