
Nëse gjendeni në një situatë ku keni nevojë për shërbim mjekësor, shtrim të mundshëm në spital gjatë kohës që jeni jashtë vendit, do të mund të trajtoheni me shpenzimet e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Maqedonisë, për të cilin duhet të keni një formular dygjuhësh, i cili zëvendëson kartën e shëndetit e cila merret falas.
Këtë përfitim qytetarët e Maqedonisë së Veriut e kanë në 18 shtete me të cilat Fondi Shëndetësor ka lidhur marrëveshje, më konkretisht: Turqi, Bullgari, Gjermani, Austri, Belgjikë, Shqipëri, Kroaci, Slloveni, Serbi, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Çeki, Sllovaki, Hungari, Holandë, Luksemburg, Francë dhe Itali. Greqia nuk është në këtë listë. Nga praktika e deritanishme e Fondit në Shkup, çdo vit lëshohen qindra formularë dygjuhësh, ndërsa në territorin e gjithë Maqedonisë mbi 650.