Kufizimi i marzhës hyri në fuqi – Shumica e dyqaneve në pak produkte kanë ndryshuar çmimet

Nga sot marzha e tregtarëve është kufizuar sërish. Masa e qeverisë rikthehet pasi çmimet e ushqimeve bazë u rritën ndjeshëm, shkruan Alsat.

Qytetarët thonë se mezi ia dalin mbanë, Sipas tyre jo vetëm që janë rritur çmimet, por edhe pesha e disa produkteve është ulur.

Disa prodhues të vajit, atë e shesin në ambalazhe prej 900ml.

Kështu ndodh edhe me sheqerin dhe kripën, të cilat shiten më pak se një kilogram, ndërsa çmimet janë të  njëjta.

“Janë duke u shtrenjtuar shumë. Kjo nuk përballohet, dikush që punon me gjithë familjen e kanë me lehtë dikush që është me ndihmë sociale 4,600 denarë çfarë do të bëj! S’është i aftë për punë ka disa anëtarë që nuk i punojnë. Sot ka ardhur puna unë jam në parti gjithë familjen e punësojnë. Ata të gjorët e varfër?”, tha një qytetar.

Qytetarët thonë se nuk do tu ndihmoj asgjë kjo marzhë për ushqimet bazë ngaqë të njëjtat për disa herë janë shtrenjtuar gjatë tre muajve të fundit. Shumica që pyetëm thanë se shpenzojnë nga 400 deri në 600 euro nga buxheti familjar mujor vetëm për gjërat ushqimore.

“Asgjë nuk vërejta sot. 5-600 euro shpenzoj në muaj, është e papërballueshme por s’kemi çfarë të bëjmë”, shprehet një tjetër qytetar.

“Tri bukë më kushtuan 100 denarë. Kjo nuk është në rregull. Sa harxhoni për një muaj? Duhet ti kesh 5-600 euro për t’ia dalë por nuk ke hiq. A kanë zbrit çmimet? Veç çka janë duke hipur!”, tregon një qytetar.

Për bukën e bardhë, sheqerin dhe vajin e lulediellit, marzha do të jetë e kufizuar në 5% në tregtinë me pakicë dhe shumicë. 10% është për miellin, makaronat, orizin dhe qumështin. Masat do të jenë të vlefshme deri më 30 shtator.

“Masat që dje u rikthyen janë shumë pak ngaqë u referohet vetëm disa produkteve dhe vetëm kufizim të marzhës tregtare. Përderisa më parë marzha tregtare vlente për më shumë produkte dhe kishte ulje të TVSH-së në 0%, kjo do të thotë se nuk janë kthyer masat por një aktrim i caktuar kinse diçka po bohet”, thotë Zdravko Saveski, aktivist.

Nga Ministria Ekonomisë thonë se tregtarët kanë pritur shpalljen e vendimit në gazetën zyrtare. “Sipas informacioneve që morëm nga Inspektorati tregut deri ora 15:00 duhet të gjithë prodhuesit dhe shpërndarësit të formojnë çmime të reja, të cilat do tu jepen rrjeteve të super marketeve me çmime më të ulëta të këtyre prodhimeve ndërsa lënda e parë dhe shpenzimet tjera mbetet me koston e njëjtë”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Para masës së serishme për kufizimin e marzhës tregtare, Inspektorët në terren konstatuan 30 parregullsi, për fryrje të panevojshme të çmimeve të prodhimeve. Gjobat për shkelje të tilla të përcaktuara me ligj variojnë nga 400 deri në 5,000 euro për firmën dhe nga 80 deri në 300 euro për personin përgjegjës./ Alsat.mk