Nxënësit në pushime verore, nesër nis aplikimi për regjistrim në shkollat e mesme

Për rreth 255 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme sot është dita e fundit shkollore në vitin shkollor 2021/2022. Viti përfundon në afatin e rregullt, përkundër vonesës së fillimit të gjysmëvjetorit të dytë për dhjetë ditë, për shkak të përkeqësimit të situatës me KOVID-19, si dhe humbjes së 12 ditëve të mësimit në prill gjatë grevës së SASHK-ut.

Viti shkollor 2021/2022 ka nisur me prezencë fizike për të gjithë nxënësit. Për herë të parë që nga mbyllja më 11 mars 2020 për shkak të pandemisë, shkollat ​​u rihapën me kapacitet të plotë shtatorin e kaluar, duke përdorur protokollet e duhura kundër kovid. Nxënësit ndiqnin mësimin me maska ​​mbrojtëse deri para rreth dy muajsh kur me rekomandim të Komisionit për Sëmundjet Infektive kjo masë nuk ishte më e detyrueshme për ta.

Risi në vitin shkollor 2021/2022 ishte Koncepti për arsimin fillor i cili filloi të aplikohet në klasën e parë dhe të katërt. Në vitin e ardhshëm 2022/2023 do të vazhdojë të futet në klasën e dytë dhe të pestë, për të cilat Byroja për Zhvillimin e Arsimit ka hartuar planprograme të reja. Plani i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të futet në faza në të gjitha drejtoritë dhe për pesë vite arsimi fillor nëntëvjeçar do të reformohet tërësisht.

Nga nesër 10 qershor deri më 15 qershor do të zgjasë aplikimi elektronik për regjistrim në shkollat ​​e mesme. Shërbimi i ri digjital i prezantuar këtë vit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të kursejë kohën e nxënësve dhe do të shmangë shtyrjen para shkollave.

Nxënësit për regjistrim në vitin e parë të arsimit të mesëm për herë të parë do të aplikojnë përmes lidhjes në portalin për shërbime elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës https://e-uslugi.mon.gov.mk me njoftim të veçantë për llogaritë e tyre të përdoruesve në schools.mk.

Për aplikimin e parë të nxënësve në afatin e konkursit, portali do të jetë i hapur nesër në orën 10:00 dhe nxënësit do të mund të plotësojnë aplikimet deri në orën 15 të datës 15 qershor. Më pas sistemi do të mbyllet për aplikim onllajn.

Lista preliminare e renditjes së nxënësve të regjistruar do të publikohet më 16 qershor në ueb faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (www.mon.gov.mk) dhe në https://e-uslugi.mon.gov.mk më së voni deri në orën 9. Dorëzimi i dokumentacionit të kërkuar në shkolla do të bëhet në datën 16 qershor nga ora 12:00 deri në orën 19:00 dhe më 17 qershor nga ora 7:00 deri në orën 19:00, sipas orarit që do të përgatisë çdo shkollë.

Pothuajse 16 mijë maturantë, ditën e hënë, më 13 qershor, do t’i nënshtrohen pjesës së dytë të maturës shtetërore – provimit zgjedhor ekstern nga lëndët: Matematikë, gjuhë Angleze, gjuhë Gjermane, gjuhë Franceze, gjuhë Ruse, Filozofi apo Estetikë.

Provimin e parë ekstern – Gjuhë amtare dhe Letërsi (maqedonase shqipe ose turke) e detyrueshme, maturantët e kanë dhënë të shtunën.

Qendra Shtetërore e Provimeve duhet të shpallë rezultatet e të dy provimeve më së voni brenda 30 ditëve. Ata që nuk do ta kalojnë maturën shtetërore ose jo të plotë, do të kenë një shans të dytë në seancën e gushtit kur provimet ekterne do të mund të jepen më 10 ose 12 gusht.