
“Unë nuk jam për baste, unë jam për punë. Për sa kohë ekziston mundësia më e vogël, do të vazhdoj të punoj. Nga këtu po nisem për në Sofje dhe do të vazhdoj të punoj për zgjidhje në qershor”.
Këtë e tha komisioneri për zgjerim i BE-së Oliver Varhelyi, i pyetur nëse Maqedonia ka mundësi në samitin e ardhshëm të BE-së pas dy javësh për të marrë datë për hapjen e negociatave.
Ai informoi se janë duke punuar së bashku me presidencën franceze.
“Dua t’ju them se nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur për të arritur zgjidhje. Franca është e përkushtuar. Presidenti Macron është i përfshirë personalisht në këtë. Të gjithë duan rezultat të pranueshëm për të dyja vendet dhe me të cilin mund të shkojmë më tej dhe të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare dhe të vazhdojmë me procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”, tha Varhelyi në një intervistë për TV Sitel.