SHBA me një grant prej 40 milionë dollarësh për modernizimin e ARM

SHBA-ja me mbështetje shtesë financiare në vlerë prej 40 milionë dollarë do ta mbështesë procesin e modernizimit të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Siç informojnë nga Ministria e Mbrojtjes, kjo mbështetje financiare është konfirmuar në Dialogun Strategjik të sotëm në Uashington.

Në seancën kushtuar mbrojtjes në kuadër të Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, u konstatua se modernizimi i Ushtrisë është vendimtar dhe në rrugën e duhur dhe përkushtimi i të dyja ushtrive për organizimin e stërvitjeve të përbashkëta është mënyra më e mirë për të arritur ndërveprueshmëri të plotë dhe gatishmëri e vazhdueshme.

Ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska në fjalimin e saj hyrës në seancën kushtuar mbrojtjes tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri ynë më i afërt për tre dekada si në zhvillimin ashtu edhe në procesin e integrimeve euroatlantike.

Realiteti i sotëm i ri i sigurisë në Evropë, nënvizoi Petrovska, kërkon bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe më intensiv me një qëllim – paqen, sigurinë dhe stabilitetin në zonën euroatlantike.

“Agresioni i pajustifikuar rus kundër Ukrainës ka ndryshuar arkitekturën e sigurisë. Pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit dhe pakënaqësia me zgjatjen e integrimit evropian mund të kenë një efekt destabilizues në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye kërkon veprim intensiv dhe fokus të fortë në këtë rajon të Evropës”, ​​tha ajo.

Proceset integruese në Ballkan, tha Petrovska, tashmë kanë dhënë një rezultat të dukshëm – anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO pati një efekt të fortë stabilizues në rajon, i cili është veçanërisht i dukshëm sot në këtë realitet të ri të sigurisë.

Petrovska tha se Qeveria dhe Ministria qëndrojnë të vendosur në qëndrimin e rritjes së buxhetit të mbrojtjes, i cili këtë vit është 1,77 për qind e BPV-së dhe sipas planeve duhet të arrijë në 2 për qind deri në vitin 2024, duke përfshirë dispozitën që 20 për qind e këtij buxheti të jenë të destinuara për pajisje dhe modernizim. Ministrja informoi se fokusi është edhe në Grupin e Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë, nga i cili një pjesë e konsiderueshme – Batalioni i Lehtë i Këmbësorisë këtë vit ka marrë vlerësim pozitiv të NATO-s dhe është “i aftë luftarakisht”.

Në kuadër të modernizimit, ministrja u falënderua për pjesëmarrjen financiare nga SHBA-ja në prokurimin e mjeteve të reja të blinduara të lehta që do të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e kapaciteteve të Ushtrisë.

Zëvendës ndihmës sekretarja e Mbrojtjes e SHBA-së, Laura Kuper theksoi se përpjekjet për të zhvilluar aftësitë ushtarake janë shembullore, siç mund të shihet në investimin në pajisje të reja dhe të sofistikuara në përputhje me procesin e planifikimit të NATO-s dhe standardet e Aleancës.

Kuper vuri në dukje se SHBA-ja deri më tani ka investuar afro 45 milionë dollarë në modernizimin e ushtrisë dhe se 40 milionë dollarë shtesë janë planifikuar vetëm për këtë vit përmes programit të financimit ushtarak dhe programit 333.

Petrovska dhe Kuper diskutuan edhe për vazhdimin e stërvitjeve të përbashkëta, veçanërisht duke pasur parasysh suksesin e stërvitjes së fundit “Swift Response 22” e cila edhe një herë tregoi rëndësinë e poligonit ushtarak “Krivolak” i cili do të vazhdojë të zhvillohet edhe në të ardhmen. Në këtë drejtim, ministrja Petrovska shprehu gatishmëri për pjesëmarrje të pjesëtarëve të Armatës në stërvitjen „Defender Europe 23″ e planifikuar për vitin e ardhshëm.