Shqipëria shpall 2 qershorin ditë zie kombëtare

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur ta shpallë 2 qershorin ditë zie kombëtare në nderim të ish-presidentit të ndjerë, Bujar Nishani.

Përmes këtij vendimi, parashikohet që në të gjitha institucionet publike flamuri të ulet në gjysmë shtizë, raportoi të mërkurën TCh.

Trupi i ish-presidentit Nishani ka arritur të mërkurën në Tiranë nga Gjermania përmes Kosovës. Në në pikën kufitare në Vërmicë, gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës, zyrtarët policorë të Kosovës u rreshtuan për të nderuar kortezhin mortor që u drejtua për në Tiranë.

Prej orës 10:00, arkmorti ish-presidentit u vendos në hollin qendror të Presidencës, nga ku të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët, përfshirë shumë qytetarë zhvilluan homazhe.

Të enjten nga ora 10:00 deri 12:00 do të zhvillohet ceremonia zyrtare e homazheve sipas protokollit të shtetit, për t’iu drejtuar më pas varrezave të Sharrës, ku do të varroset Nishani.