Pa u mbushur 24 orë nga skadimi i masave antikrizë, vërehet rritje marramendëse e çmimeve

Çmimet e produkteve ushqimore bazë, pas skadimit të masave antikrizë, sot janë në një lëvizje kaotike. Prodhuesit jo vetëm që i kanë ngritur çmimet, por produktet e njëjta kanë çmime të ndryshme, varësisht furnizuesve e vetë shitësve, shkruan Alsat.

Sikur kjo të mos mjaftonte, shumë prej marketeve kanë ngritur paralelisht edhe çmimet e ushqimeve të produkteve të tjera. Qytetarët, të habitur me rritjen marramendëse dhe të pakontrolluar. Mbi 80% e artikujve ushqimor e higjienik kanë çmime më të larta.

“E gjithë kjo është dallavere, hajna! Çfarë të them, ata janë hajdutë të gjithë nga i madhi te i vogli. Ne vetëm vuajmë dhe paguajmë si unë e ti ashtu dhe të tjerët, që ecim kështu nëpër rrugë dhe punojmë ndershëm. Kurse ata vjedhin e hanë sa të munden, nuk mendoj për popullin aspak.”

“Çmimet për gjithçka janë rritur në vitin e fundit, nuk do dimë si të dalim nga kjo krizë. Rrogat janë të njëjta apo janë të rritura minimalisht. Realisht jemi më të varfër dhe më pak na vlejnë paratë se sa që kanë pasur vlerë para dy vitesh. Duhet të mendohet më shumë për politikat afatgjate të burimeve të energjisë që mos të rritet as energjia elektrike dhe më atë të rriten të gjitha çmimet tjera.”

“Vështirë për ata që kanë të ardhura të ulëta. Mua as gjysma e të ardhurave nuk më shkojnë sepse jam vetë, ndryshe është me fëmijë. Tani në pleqëri nuk kam shpenzime të mëdha.”

Paralajmërimi për heqjen e masës anti krizë, pavarësisht se ishte i ditur për qytetarët, përsëri prodhoi mbrëmë radhë të gjata në markete. Qytetarët tentuan të mbushnin sadopak shportën e tyre, edhe pse marketet ishin përgatitur më herët, dhe një pjesë e produkteve ishin rritur veç më, 24 orësh më herët.

“Përderisa lëvizjet në trafik sot janë më të rralluara shkaku i ngritjes së çmimeve të derivateve, mbrëmë ishte një kaos i vërtetë nëpër pikat e karburanteve, të cilët përpiqeshin të merrnin naftë ose benzinë më të lirë. Nuk ishte më mirë edhe nëpër markete ku përkundër pritjeve të gjata qytetarët ishin të kufizuar në blerje të produkteve”, raporton Adnan Qaili, gazetar i Alsat.

Edhe derivatet e naftës pësuan rritje, pasi akciza që ishte liruar për qytetarët, u hoq në kuadër të të masave qeveritare antikrizë. Kjo riktheu radhët e gjata në pikat e karburanteve, boritë e makinave në pritje, nervozen e shoferëve si dhe nxitja për të kursye të paktën 500 denarë për një mbushje rezervuari. Ekspertët e ekonomisë thonë se nuk keni parë gjë akoma.

“E gjithë kjo na çon drejt një regjimi të indeksimit të ashtuquajtur, që nënkupton rritje të çmimeve, pagat, të dalat rriten, pastaj sërish çmimet rriten që mund të na qoj në një spirale, të cilën ne më të moshuarit nga koha e Jugosllavisë e dimë si do të përfundojë, përkatësisht do të përfundojë shumë keq për ekonominë”, u shpreh Pavle Gacov, Ekspert ekonomik.

Nga Qeveria, përkatësisht Ministria Ekonomisë nuk kanë paraparë vazhdim të marzhës e cila zgjati për gati tre muaj në heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë nga 5% në zero. Gjithashtu nga 1 qershori ndaloi së vazhduari heqja akcizës dhe ulja e TVSH-së për karburantet nga 18% në 10%. Por sipas ekspertëve qeveria mund të ndikojë në pengimin e rritjes enorme të çmimeve.

“Mund të ndikoj përmes presionit të ndryshme ndaj tregtarëve të ngadalësojnë rritjen e çmimeve, së dyti ti lënë lirshëm ti formojnë çmimet për arsye të rritjeve do të ketë të hyra kthyese në buxhet si dhe të stimulojnë kategoritë më të prekura, duke iu dhënë mjete rasteve sociale”, tha Pavle Gacov, Ekspert ekonomik.

Ndërkaq Komisioni Rregullator njoftoi rritje të reja të çmimit të karburanteve sërish nga mesnata. Çmimi i benzinës shtrenjtohet për 3 denarë për BS-95 dhe 2,5 denarë për BS-98. Po aq rriten edhe çmimet e dizelit dhe vajit për amvisëri. /Alsat.mk