Vendimi Serbisë për të ndalur eksportin e peletave, sjell rritje të çmimit

Alternative biofuel from sawdust wood pellets in hands.

Vendimi i Serbisë për të ndalur eksportin e peletave, do të ketë ndikim drastik në treg në vendin tonë, pasi Maqedonia e Veriut 80% të sasisë së peletave e siguron përmes importit, shkruan Alsat.

Kompanitë për shitjen e peletave po hasin në një rritje ekstreme të kërkesës për blerje të peletave nga ana e qytetarëve.

Vlladimir Stanovski, kompania e të cilit operon në Shkup, thotë se tregu vendor do të përballet me dy probleme kryesore, me mungesën e sasisë dhe rritjen e çmimit. Sipas tij, në mungesë të sasisë së drurit, vendet e rajonit po ndalojnë eksportin e peletave, për t’i pasur në dispozicion për qytetarët e tyre.

“Në si shtet nuk mund ta sigurojmë vet atë sasi, pasi për fat të keq kemi pak kapacitete. Pjesa më e madhe, apo 2/3 vijnë nga Serbia. Bosnja dhe Serbia janë furnizues kryesorë të Maqedonisë me peleta. Për fat të keq në mënyrë drastike. Në përqindje mund të thuhet se ka rritje të çmimit prej mesatarisht 50%. Për momentin nuk shoh ndonjë mënyrë se si të vijmë deri në çmim më të ulët të peletave. Për fat të keq çmimin e kemi në plan të dytë, sepse tani shqetësim kemi sigurimin e sasisë. Për momentin ne kemi rezerva peletash deri më 10 apo 15 qershor”, tha Vladimir Stanovski- Kompani për shitje peletash.
Sipas tij, për rritjen e çmimit të peletave kanë ndikuar disa faktorë si: rritja e çmimit të energjisë, rritja e çmimit të naftës, rritja e çmimit të lëndëve të para për mirëmbajtjen e fabrikave, sasia e paktë e drurit në dispozicion.

Në anën tjetër të medaljes janë qytetarët, ata të cilët thonë se sado që ribëjnë llogaritë e tyre disa herë për të marrë vendim më ekonomik se me çfarë të ngrohen, përsëri u rëndohet xhepi. Ata thonë se edhe masa, “dhuro sobën dhe merr inverter”, tani që është rritur çmimi i energjisë do të ndikojë negativisht.

“Epo nuk e dimë. Energjia elektrike është e shtrenjtë, druri është shtrenjtuar, nuk gjen dot nën 4 mijë denarë. Ngrohem me klimë, por nuk më ngroh mjaftueshëm. Për ne pensionistët sigurisht që është shtrenjtë edhe mundësia e parë, edhe e dyta edhe  e treta”, thotë një qytetare.

“Sezonin e kaluar ishin relativisht lirë. Këtë sezon i kanë shtrenjtuar së paku 50% që do të thotë se edhe ngrohja me peleta do të jetë shumë e shtrenjtë. Edhe vet soba për djegien e peletave është e shtrenjtë. Tashmë jam furnizuar, sepse sa më herët të furnizoheni, më lirë i gjen”, shprehet një tjetër qytetar.

“Tani është shtrenjtuar energjia elektrike, kot që i vendosëm ne inverterët. Do të rinisim të ngrohemi më dru”, tha një qytetar./ Alsat.mk