
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi mirëpriti sot në takim eurodeputetin bullgar dhe raportuesin për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Europian, z. Ilhan Kyuchyuk.
Gjatë këtij takimi, Grubi dhe Kyuchuk bashkëbiseduan mbi rrjedhën aktuale të bisedimeve me Bullgarinë fqinje, nevojën e vazhdimësisë dinamike të tyre me qasje edhe më konstruktive për zhbllokimin e rrugës së integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, si dhe projektet bilaterale që do të thellojnë raportet e fqinjësisë së mirë.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi i potencoi eurodeputetit bullgar vendosmërinë dhe paluhatshmërinë e vendit në rrugën e eurointegrimit, si dhe e informoi për avancimin e procesit të punës për realizimin e Korridorit 8, projekti më i madh infrastrukturor që do të ndërlidhë në mënyrë më efikase të dyja vendet.
Eurodeputeti Kyuchyuk i përcolli Grubit angazhimin e tij të lobimit të vazhdueshëm për rëndësinë gjeopolitike që ka integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE.
Grubi dhe Kyuchuk përmbyllën takimin me optimizëm për perspektivën europiane të Maqedonisë së Veriut dhe zhvillimin progresiv të të dyja vendeve.
