Në orët e para të mëngjesit sirenat ajrore janë dëgjuar në një pjesë të madhe të Ukrainës, duke përfshirë kryeqytetin Kiev dhe rajonin e Odesas në jug. Rusia ka rritur përpjekjet për të marrë kontrollin e rajonit të Donbasit, i cili gjendet në lindje të Ukrainës, duke pretenduar fitore në betejën për fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol. Forcat e fundit ukrainase të bllokuara në Azovstal janë dorëzuar, ka thënë Ministria ruse e Mbrojtjes.
Sulmet shkatërruese ruse kanë lënë gjithë Mariupolin nën rrënoja. Ka shqetësime se rreth 20,000 njerëz kanë vdekur në këtë qytet. Për Rusinë ka qenë e rëndësishme marrja e kontrollit të Mariupolit, qytet me dalje në Detin Azov, për të krijuar një korridor tokësor me Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar më 2014, si dhe për t’iu mundësuar trupave ushtarake kalim të lehtë në betejën për të kontrolluar rajonin e Donbasit.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky ka thënë se Rusia duhet të detyrohet që të paguajë për secilën shtëpi, shkollë, spital dhe biznes të shkatërruar. Ai u ka bërë thirrje partnerëve të Ukrainës që të konfiskojnë fondet dhe pronën ruse nën juridiksionin e tyre dhe që ato para më pas t’i përdorin për të krijuar një fond për kompensimin e atyre që janë duke vuajtur.
“I bëjmë thirrje vendeve partnere të nënshkruajnë një marrëveshje shumëpalëshe dhe të krijojnë një mekanizëm përmes të cilit secili që ka vuajtur nga veprimet e Rusisë do të jetë në gjendje të marrë kompensim për të gjitha humbjet. Në bazë të një marrëveshjeje të tillë, fondet dhe pronat ruse duhet të konfiskohen ose ngrihen, dhe më pas të drejtohen në një fond të posaçëm për viktimat e agresionit rus”, tha Volodimir Zelenski, president i Ukrainës
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë.