Vëzhguesit e yjeve u shërbyen me një pamje mahnitëse dhe jo shumë të zakonshme – atë të “Hënës së Përgjakshme”.
Gjatë mëngjesit së të hënës, pak pas orës 05:30 sipas kohës evropiane, orbita e Tokës e pozicionoi planetin direkt në mes Hënës dhe Diellit, përcjell Telegrafi.
Gjatë asaj kohe, Hëna plotësisht ra nën hijen e Tokës, duke e kthyer Hënën përkohësisht në një ngjyrë me hije të errët dhe të kuqërremtë, ngjyrë kjo e cila u krijua nga drita e diellit e cila u përthye në sipërfaqen e Hënës përmes atmosferës së Tokës.
Kështu, eklipsi hënor përkoi me një tjetër ngjarje, me atë të “Super Hënës” – ngjarje e cila ndodh kur Hëna është në pikën e saj më të afërt me orbitën e Tokës dhe kjo e bënë atë që të duket më e madhe se zakonisht.
Në Evropë, ky fenomen mund të shihej vetëm nga një numër i vogël vendesh për shkak se ishte koha kur Hëna filloi të perëndonte, por që në qiejt e pastër të Amerikës Jugore dhe Veriore ky fenomen e ofroi super pamjen e tij.
“Ti mund të shikosh të gjitha lindjet dhe perëndimet e diellit që ndodhin në Tokë gjatë gjithë kohës, dhe e gjithë drita e këtyre fenomeneve natyrore do të reflektohet në Hënë”, shpjegoi para këtij fenomeni Dr. Gregory Brown, astronom i Observatorit Mbretëror të Greenwich-it në Londër.
“Nëse do të ishe një astronaut dhe do ishe në Hënë gjatë kohës së eklipsit hënor, do mund ta shihje një aurë të kuqe që shtrihet në rrethin e jashtëm të planetit tonë”, shton tutje ai për BBC-në.