Shtetet e Bashkuara do të ndajnë teknologjinë e vaksinës së coronavirusit përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe do të ofrojnë teste të shpejta dhe ilaçe për njerëzit në pjesë të largëta të botës, tha sot presidenti amerikan, Joe Biden.
Uashingtoni do të shtojë edhe 200 milionë dollarë për fondin e Bankës Botërore në mënyrë që bota të jetë më e përgatitur rreth pandemive të ardhshme, shtoi ai. Kjo do të rrisë kontributin total të SHBA-së në 450 milionë dollarë.
“Ne po vëmë në dispozicion teknologjitë mjekësore në pronësi të qeverisë amerikane, përfshirë ato për prodhimin e vaksinave kundër COVID-19”, tha Biden në hapjen e samitit të dytë botëror për coronavirusin.
Mbledhja, e organizuar nga Shtetet e Bashkuara, Beliza, Gjermania, Indonezia dhe Senegali, po mbahet virtualisht dhe përfaqësuesit e qeverisë po diskutojnë se si t’i japin fund pandemisë ekzistuese dhe të përgatiten për të ardhshmen.