Gazetar: Mefail Ismaili
Pas konstatimeve nga Sektori për Mbikëqyrje Juridike dhe Inspektuese në Ministrinë e Kulturës, për shpërdorime fondeve nga ana e drejtorit të Ansamblit shqiptar, Shkodran Tolaj, dyshime edhe për parregullsi në diplomat e Tolajt, shkruan Alsat.
“Drejtori i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare, Shkodran Tolaj, studimet i ka kryer këtu në Shkup në Universitetin EFTA”, raporton gazetari i Alsat, Mefail Ismaili
“Konfirmojmë se Shkodran Tolaj, në Universitetin tonë ka përfunduar studimet dhe ka diplomuar Artin Muzikor – Kompozim në vitin 2017, në vitin 2020 ka përfunduar studime master, Arti Muzikor – interpretimi vokal”, thonë nga Universiteti EFTA
Megjithatë, në diplomat e siguruara nga ana e Alsat bien në sy të dhëna të cilat nuk korrespondojnë, nuk përputhen dhe janë të paqarta, veçanërisht lidhur me datat e diplomave, lëshimin e tyre nga institucionet përkatëse, përfshi edhe vetë ditëlindjen e shënuar në këto dokumente. Për këto paqartësi presim përgjigje shtesë nga vetë Universiteti. Alsat po ashtu ka vërejtur se drejtori Shkodran Tolaj ishte pajisur me shtetësinë e Maqedonisë pak kohë para se të shpallej konkursi për drejtor. Konkursi ishte shpallur më 25 tetor të vitit 2019. Dyshimet rreth zgjedhjes së tij në këtë pozitë, ngjall dyshime, dhe ALSAT kërkoi zyrtarisht informacione nga Ministria e Kulturës rreth shpalljeve, për të cilat nga Ministria thanë se do i dorëzojnë dokumentet brenda afatit 20 ditor, siç përcakton edhe Ligji për qasje në informatat e karakterit publik. Përmes dokumenteve të tjera që ALSAT siguroi, ngrihen edhe dyshimet për shkeljen akoma më të rëndë, atë të Statusit të Ansamblit Shqiptar. Neni 13 paragrafi 4 Statutit thotë:
“Për drejtor mund të zgjidhet person i cili ka minimum 5 vjet stazh pune në sferën e kulturës ose 5 vjet përvojë në punë ose projekte në sferën e kulturës, në bazë të marrëveshjeve në vepër”, Statuti i ASHKVPSH (Statuti i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare)
Sipas dokumenteve që ka siguruar ALSAT, dëshmi për përvojë pune në fushën e kulturës, janë paraqitur nga Tolaj, dokumente të lëshuara nga Shoqata Joqeveritare nga Maqedonia, kryesisht ato nga lokaliteti i Kërçovës, si dhe kontrata bashkëpunimi kulturor me Komunën e Kërçovës, në kohën kur Tolaj ishte shtetas vetëm i Kosovës.
Në këto kontrata shihet se për projekte të realizuara Shkodran Tolaj ka ka arkëtuar edhe shumat e mëposhtme.
-Me OJQ “KULT”, Shkodran Tolaj për projekte kulturore ka disa kontrata. Në atë të datës 01.01.2014 deri më 31.12.2014 ka marrë gjithsej 202 014 denarë. Për vitin 2016 – 300 000 denarë, ndërsa për vitin 2018 ka marrë 420 000 denarë.
-Nga viti 2014 deri në vitin 2019 Shkodran Tolaj ka qenë i angazhuar me kontratë në vepër edhe nga Komuna e Kërçovës, nga e cila për çdo vit ka marrë nga 300 000 denarë për realizimin e projektit kulturor “Dita Jonë”.
Ditë më parë ALSAT njoftoi opinionin për parregullsi të kryera nga Tolaj, në krye të Ansamblit Shqiptar, edhe pse në komunikim me ALSAT, ai iu referua fjalëve të kreut të partisë që përfaqëson, se ai që punon, edhe gabon. Gjithsesi, këto bindje nuk i ndau vetë kreu u BDI-së i cili tha se për shkeljet, të gjithë duhet të përgjigjen. /Alsat.mk