Bota këtë javë arriti një rekord të dhimbshëm me mbi 15 milionë vdekjeve nga COVID-19, përfshirë mbi një milion në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, studiuesit amerikanë po analizojnë të dhënat e atyre që vdiqën nga COVID-19 në dy viteve të fundit për të kuptuar më mirë se përse disa grupe njerëzish u goditën më rëndë nga virusi.
Disa muaj pas fillimit të pandemisë së COVID-19, në shtator të vitit 2020, familja Guzman përjetoi një humbje të rëndë.
“Nëna ime dhe bashkëshorti i saj vdiqën nga COVID-19. Por tani kemi dy fëmijë, të birësuar nga nëna jonë, për të cilët tani po kujdesemi së bashku”, thotë Katherine Guzman.
Prindërit e saj janë pjesë e statistikës së zymtë në Shtetet e Bashkuara, ku ka arritur në mbi një milion numri i të vdekurve nga COVID-19.
Studiuesit e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara po analizojnë të dhënat e dy viteve të fundit të personave që kanë vdekur nga pandemia. Ata thonë se pakicat u goditën rëndë, duke përfshirë të rinjtë, të cilët për shkak të punës së tyre duhej të ishin të pranishëm në zonat publike përpara se shumica e popullsisë të vaksinohej.
“T’ju them të drejtën, përmes punës së tyre ata bënë që vendi të funksiononte, që të kishte furnizime me ushqim për ne dhe paguan një çmim të rëndë për këtë. Ne nuk arritëm të mbronim punonjësit e shërbimeve thelbësore dhe pakicat kishin më shumë gjasa të ishin punëtorë të kësaj kategorie”, thotë Ali Mokdad nga Universiteti i Uashingtonit.
Në ditët e para të COVID-19-ës në Shtetet e Bashkuara, njerëzit po vdisnin në qendrat urbane, më pas virusi u përhap në më shumë zona rurale.
Nuk kishte asnjë përgjigje në nivel vendi ndaj COVID-19-së në ditët e para. Kjo, e kombinuar me dizinformatat rreth vaksinave, pengoi ritmin e vaksinimit të popullsisë. Por ekspertët mjekësorë këmbëngulin se frika nga vaksinat ishte e pabazë.
“Ndonëse i bëmë studimet në kohë rekord, e prodhuam vaksinën në kohë rekord, ajo u prodhua mbi bazat e një investimi dhe pune shkencore mbi 20 vjeçare. Pra, ne ishim në gjendje të krijonim një vaksinë për një kohë relativisht të shpejtë ‘dhe për shkak se njerëzve nuk u komunikohej siç duhet ai mesazh ata menduan se procesi ishte i nxituar dhe nuk ishte bërë më kujdesin e duhur’”, thotë Dr. Georges Benjamin nga Shoqata Amerikane e Shëndetit Publik.
Ekspertë të tjerë thonë se departamentet lokale të shëndetësisë në të gjithë vendin nuk ishin të përgatitura për pandeminë.
“Nuk ka dyshim që ne po vuajmë pasojat e dekadave të investimit të vogël në shëndetin publik në nivel kombëtar, shtetëror, dhe lokal në Shtetet e Bashkuar, si dhe në botë”, thotë Dr. Tom Frieden nga organizata “Resolve to Save Lives”.
Në mbarë botën, më shumë se 15 milionë njerëz kanë vdekur nga COVID-19.
Shumë ekspertë thonë se kemi kaluar fazën më të rëndë të pandemisë në Shtetet e Bashkuara.
“Unë mendoj se është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se nëse jeni vaksinuar, COVID-19 është në shumicën e rasteve një sëmundje e lehtë. Por, kemi ende një pjesë të madhe të popullatës që nuk është vaksinuar”, thotë David Dowdy nga Universiteti Johns Hopkins.
Mes 60 dhe 70 për qind e popullsisë në Shtetet e Bashkuara është vaksinuar kundër COVID-19 dhe një numër i ngjashëm është infektuar me këtë virus, duke i dhënë atyre njëfarë imuniteti. Por ekspertët thonë se ndërsa virusi evoluon dhe ndryshon, dozat përforcuese të vaksinës mund të vazhdojnë jenë të nevojshme në të ardhmen.