Kosova nuk do të kërkojë certifikatë vaksinimi për të kaluar kufirin

Qeveria e Kosovës ka miratuar lehtësimin e masave kundër COVID-19 ku tash e tutje në hyrjet kufitare në Kosovë nuk do të kërkohet certifikata e vaksinimit.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë rekomanduar lehtësimin e masave ekzistuese pasi kanë vlerësuar se situata epidemiologjike në vend është stabile.

“Sipas raportit të fundit të IKSHPK-së situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë është stabile me ç’rast rekomandojnë lehtësimin e masave ekzistuese. Ministria e Shëndetësisë ka bashkërenduar vendimmarrjen me palët e interesit të cilat kanë qenë të ndikuara drejtpërdrejtë apo tërthorazi nga pandemia. Masat dhe afatet kohore të përcaktuara në këtë propozim-vendim shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll, edhe përkundër të dhënave optimiste epidemiologjike”, tha ai në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Klan Kosova ka raportuar gjatë ditës së djeshme se Komiteti dhe Grupi Këshillëdhënës për vlerësimin e situatës epidemiologjike në vend i ka propozuar qeverisë që në kuadër të rishikimit të masave të hiqet kërkimi i certifikatës së vaksinimit në hyrjet kufitare për në Kosovë.