Duke mos treguar se çfarë mesazhe do të japë për funksionarët e vendit, komisioneri i zgjerimit të BE-së Oliver Varheji mbërriti për vizitë zyrtare në Shkup. Por si arriti, ashtu u largua, pa asnjë koment për mediat, shkruan Alsat.
Megjithatë, Varheji pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski në Twitter shkroi se po bëhen përpjekje për fillimin e bisedimeve për anëtarësim para përfundimit të kryesimit francez, që përfundon në fund të qershorit. Sipas tij, nuk ka kohë për të humbur dhe procedurat duhet të përshpejtohen.
Në takimin Kovaçevski-Varheji u konstatua se zhbllokimi i integrimeve evropiane është i domosdoshëm menjëherë, njoftojnë nga Qeveria.
“Ka pajtueshmëri se tani është koha për të zhbllokuar integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila përndryshe mund të mbetet çështje e hapur për një kohë të gjatë dhe nuk është në interes të asnjërës palë”, njoftojnë nga Qeveria.
Komisioneri i BE-së u takua edhe me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, i cili theksoi se vonesa e vazhdueshme në marrjen e datës për fillimin e negociatave reflekton në politikën e brendshme dhe rrit euroskepticizmin.
Varheji mbërriti në Shkup nga Sofja, ku tha dje se do të bëjë përpjekje që deri në qershor të nisin bisedimet me Brukselin për anëtarësim. Komisioneri i BE-së u takua me kryeministrin bullgar Kiril Petkov, i cili përsëriti dëshirën e tij për të gjetur zgjidhje të pranueshme reciproke për çështjet e hapura politike, veçanërisht për çështjet që janë të ndjeshme për Bullgarinë. Nga ana tjetër, presidenti Rumen Radev para komisionerit theksoi pritjet se Maqedonia do të angazhohet në mënyrë aktive në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura si dhe në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës për anëtarësim në Union.
Pas Varheit, nesër në Shkup do të arrijë Karen Donfrid, ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështje evropiane, e cila pritet ta përsërisë mbështetjen e saj të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.