Ndonëse një ulje e lehtë e rasteve pozitive është shënuar ditëve të fundit, Komisioni për sëmundje infektive rekomandoi që të hiqen të gjitha masat restriktive anti-kovid, shkruan Alsat.
Përjashtim bën mbajtja e maskave në objektet shëndetësore, barnatore, transportin publik dhe shtëpitë e të moshuarve. KSI gjithashtu rikthehet në tri rekomandimet bazë, që duhet të mbahen gjithë jetën.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet për mbajtjen e higjienës personale, siç janë larja shpeshtë e duarve, dezinfektimi dhe mbajtja e distancës. Gjithashtu, mos hiqni dorë nga vaksinimi. Do të vëzhgojmë me vëmendje situatën, nëse ka nevojë do të propozojmë sërish masa të reja restriktive”, thuhet nga njoftimi i Komisionit për sëmundje infektive.
Pas tri vitesh, pranvera po kthen pandeminë në normalitet dhe Pashkët e Bajramin qytetarët mund t’i festojnë me të gjitha ritualet fetare, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik. Por, drejtori Shaban Memeti, tërhoqi vërejtjen që qytetarët të kenë kujdes gjatë grupimeve familjare.
“Njerëzit duhet të jenë shumë të kujdesshëm në respektimin e masave. Grumbullimi i njerëzve është një faktor kryesor i transmetimit të virusit. Është herët të konstatojmë se a do të kemi raste të shtuara pozitive nga tubimet e Pashkëve sepse është proces inkubacioni dy javorë, pas së cilit mund të shohim nëse ka rritje të rasteve të kovidit. Gjithsesi, edhe pse kemi një lehtësim të masave dhe sërish jemi në ulje të numrit të rasteve, kujdesi duhet të vazhdojë”, thotë Shaban Memeti, Drejtor i ISHP-së.
Sipas raportit javorë të Institutit të shëndetit publik nga 18-24 prill janë bërë 14,160 testime për kovid prej të cilave 592 raste kanë rezultuar pozitivë. Këto infeksione janë evidentuar në rënie prej 26,2% në raport të një jave më parë.
Mesatarja e rasteve pozitive në bazë ditore ka rënë në kuotën e 4.4%. Sipas ISHP-së numri më i madh i rasteve është i regjistruar në Shkup, 53,7%. Incidenca më e lartë në Manastir.