Është e pasigurt nëse vendi do të mbetet pa gaz pas vendimit të Gazpromit rus për të ndërprerë furnizimin me Bullgarinë, pasi Sofja ka refuzuar të paguajë karburantin në rubla ruse. Sot në Maqedoni ka rrjedhur gaz për nevojat e kompanive dhe institucioneve. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, siguron se ka alternativa të tjera për gazin, por nuk u përgjigj nëse do t’i kushtojë më shumë vendit.
“Nëse ndërpritet marrëveshja mes Bugar-Trans dhe Gazpromit, do të kemi opsionin që të furnizohemi me gaz natyror, nga burime të tjera ku ka interkonektorë dhe korridore furnizimi, por për momentin vazhdon furnizimi nga rrjeti i transmetimit që kemi me Bullgarinë”, deklaroi Kreshnik Bekteshi- Ministër i Ekonomisë.
Alternativa e vetme për hyrjen e gazit natyror në vend është përmes tubacionit që kalon përmes Bullgarisë. Komisioni
Rregullativ thotë se megjithëse të gjitha detyrimet e kompanive tona janë shlyer ndaj Gazpromit, situata është komplekse dhe varet nga vendimet e Rusisë. Megjithatë, nga Komisioni u apelojnë të gjithë atyre që janë të varur nga gazi në vend, të sigurojnë alternativa.
“Gjithkush që përdor gaz natyror kërkohet të ketë karburant alternativë, siç janë mazuti, gazi i lëngshëm, gazi natyror i kompresuar ose vaji ekstra i lehtë”, njoftojnë nga Komisioni Rregullator Energjetik.
Pasi Rusia mbrëmë mbylli valvulat, autoritetet bullgare nuk garantojnë furnizim të sigurt me gaz për vendet fqinje.
“Bullgaria është një partner besnik me të gjitha vendet fqinje, por Bullgaria nuk është Rusi. Kur të kemi mundësi do tu ndihmojmë të gjitha vendeve fqinje sipas marrëveshjeve ekzistuese, duke qenë se pala tjetër është sërish Gazprom, do të merren parasysh të gjithë mekanizmat dhe rreziqet e mundshme”, tha Aleksandar Nikolov- Ministër i Energjetikës i Bullgarisë.
Një takim me ministrat e ekonomisë të rajonit është caktuar tashmë në Sofje javën e ardhshme, për të paraqitur nevojat e vendeve. Konsumi mesatar i gazit natyror për një vit në vend është rreth 400 milionë metër kub, të cilat kryesisht shpenzohen për ngrohje qendrore.