Greva në arsim dhe çerdhe vazhdon – Kryetari  i Sindikatës në pritje të takimit me ministrat kompetentë

SASHK-u shpreson që me rezultate pozitive të përmbyllet greva në çerdhe dhe arsim që ende vazhdon të mbetet aktive, shkruan Alsat.

Kreu i sindikatës, Jakim Nedellkov tha se Qeveria duhet të gjejë mënyrën dhe mjetet për tu pajtuar me kërkesat e SASHK-ut.

“Qeveria duhet të gjejë mënyrën dhe mjetet për t’u pajtuar me kërkesat e paraqitura nga SASHK-u lidhur me harmonizimin e pagave në aktivitetet që i përfaqëson – rritja e pagës minimale në nivel kombëtar, vazhdimi i negociatave për nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive në çerdhe, në arsimin fillor dhe të mesëm dhe, natyrisht, një marrëveshje për dinamikën e rritjes së pagave në këto aktivitete për vitin 2023 dhe 2024. Kur flas për këto aktivitete, nuk duhet të harrohen aktivitetet e arsimit të lartë dhe shkencës, si dhe konviktet”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Për të mbështetur SASHK-un në kërkesat e tyre, në vend po qëndron drejtuesja e Konfederatës Evropiane të Arsimit, Suzan Kloken e cila tha se përfaqësojnë zërin e rreth 11 milionë mësimdhënësve në Evropë.

“Ata e meritojnë respektin tonë, ata meritojnë më mirë se thjesht fjalë. Arsimi është më shumë se vetëm edukim, është përgatitja e brezave dhe mësuesve të ardhshëm. Arsimi cilësor është themeli i të gjithë shoqërisë. Ne qëndrojmë me kolegët tanë mësues këtu në luftën për të drejtat e tyre”, u shpreh Suzan Kloken, Konfederata Evropiane e Arsimit.

Qeveria javën që lamë pas vendosi për rritje të pagave në arsim dhe kopshte për 10 % dhe i bëri thirrje SASHK-ut ta pranojnë këtë ofertë dhe të mundësoj realizimin e procesit mësimor. Mirëpo, këshilli i SASHK-ut e refuzoi duke vazhduar sërish me grevë tashmë për dy javë të plota.