Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se të paktën një vdekje është raportuar në lidhje me një shpërthim misterioz të sëmundjes së mëlçisë që ka prekur fëmijët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara ka thënë të shtunën në mbrëmje se është në dijeni për të paktën 169 raste të “hepatitit të rëndë me origjinë të panjohur” në disa shtete.
Rastet janë raportuar te fëmijët e moshave nga një deri në 16-vjeçare dhe 17 prej të sëmurëve është dashur të kryejnë transplant të mëlçisë.
OBSH nuk ka treguar se në cilin shtet është regjistruar vdekja.
Rastet e para janë raportuar në Britani të Madhe, ku deri më tani është raportuar për 114 raste të fëmijëve të sëmurë.
“Ende nuk është e qartë nëse ka rritje të rasteve me hepatit, apo rritje të ndërgjegjësimit për rastet me hepatit”, ka thënë OBSH përmes një deklarate.
Ekspertët kanë thënë se rastet mund të jenë të lidhur me ndonjë virus që shpesh lidhet me ftohjet, mirëpo ende janë duke u bërë kërkime.
Ndonëse rastet e lehta pediatrike nuk janë të padëgjuara, hepatiti i rëndë te fëmijët e shëndoshë është diçka e rrallë.
Rastet e identifikuara janë më të pazakonshme sepse nuk janë të lidhura me asnjërin me llojeve të hepatitit – A,B,C,D dhe E.