Presidenti rus Vladimir Putin është rishfaqur në disa pamje që ngrisin dyshimet se ai mund të ketë një sëmundje, meqë në një takim ai shihet duke e mbajtur fort tavolinën me gishtin e madh mbi të, një tentim për të parandaluar dridhjen e dorës. Disa analistë spekulojnë se ai mund të ketë Parkinsonin.
Megjithatë, asnjë burim zyrtar nuk e ka konfirmuar këtë. Presidenti rus është shfaqur shumë rrallë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Ditët e fundit ai është parë në një takim me ministrin e tij të Mbrojtjes, Serguei Shoigú, ku ka pasur një qëndrim të pazakontë të trupit.
Kremlini tha se të dy u takuan për të diskutuar strategjinë ushtarake të Rusisë në Mariupol pasi pretenduan se qyteti tashmë është në duart e Rusisë. Ai anuloi urdhrin për të sulmuar fabrikën e çelikut Azovstal, ku ka mijëra civilë refugjatë, megjithëse i mban njerëzit të bllokuar në këtë rajon.
Në pamjet që dolën nga takimi, dora e Putinit rri e kapur për tavolinë për rreth 15 minuta. Duke e analizuar më hollësisht, duket se ai e ka të vështirë të mbajë të palëvizur gishtin e madh mbi tavolinë. Analistët thanë se këto imazhe përforcojnë ato që u përfolën se Putin është i sëmurë, shkruan televizioni spanjoll “Antena 3”.
Nuk është hera e parë që pretendohet se Putini mund të vuajë nga sëmundja e Parkinsonit. Media britanike “Sun” kishte shkruar, duke cituar burime nga Moska, se ai ishte i sëmurë më Parkinson.
“Vëzhguesit që studiuan pamjet e fundit të Putinit vunë re se këmbët e tij dukej se ishin në lëvizje të vazhdueshme dhe ai dukej se kishte dhimbje teksa mbahej në anësoret e karrigeve”, shpjeguan ata.
Por s’është vetëm kjo pamje që ngre dyshime për këtë, por ata që analizuan edhe pamjet e tjera thanë gjithashtu se kjo vërehet edhe kur ai ecën duke mbajtur “të palëvizur krahun e majtë, pothuajse të ngjitur në anën e tij, ndërsa krahu i djathtë lëkundet lirshëm”.