Zyrtari maqedonas në burg, firmosi dhe për punësime të përkohshme!

Pak përpara se të përfundonte në burg nën dyshimin se ka përvetësuar një milion euro dhe ka keqpërdorur pozitën duke punësuar privatisht një firmë konsulente, në vend që ta bëjë këtë përmes procedurës së tenderit, ish sekretari i përgjithshëm i qeverisë maqedonase, Muhamed Zeqiri kishte firmosur edhe një kontratë për punësime të përkohshme.

Për këtë arsye, ekzekutivit në vendin fqinj tani do t`i duhet ti paguajë 130 mijë euro një agjencie private punësimi. Marrëveshja e firmosur nga Zeqiri në 11 mars, nuk specifikon sesa persona do të punësoheshin dhe për sa kohë.

Sipas njoftimit në portalin e prokurimit, kanë dalë 6 kompani por është përzgjedhur një prej tyre, Spid. Nëntorin e vitit 2019, shpjegojnë mediat vendase, ministri i atëhershëm i informatikës dhe administratës, Damjan Mancevski, kishte shpallur mundësinë e punësimit të përkohshëm përmes agjensive për shkak të gjasave të shpërdorimit.

E megjithatë, edhe pas tre vjetësh, thotë shtypi vendas, është parë se punësimi i përkohshëm, për shkak të mënyrës sesi është rregulluar, lë hapësirë për abuzim. Muhamed Zeqiri ishte zgjedhur sekretar i Përgjithshëm në nëntor të vitit 2020.

Muhamed Zeqiri ka punuar si gazetar para se të zgjidhej deputet në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016 në listën e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, që në atë kohë drejtohej nga Zoran Zaev.

Top Channel